Basha në Dhomën e Lordëve: Qeveria tranzitore na nxjerr nga kriza

Shqipëria

Basha në Dhomën e Lordëve: Qeveria tranzitore na nxjerr nga kriza

Më: 20 maj 2019 Në ora: 08:11
Pamje nga takimi

Lideri i opozitës Lulzim Basha gjatë një vizitë në Parlamentin Britanik foli për situatën politike në Shqipëri. Ai shprehu propozimet e PD dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza përmes një procesi të lirë zgjedhor dhe një qeverie tranzitore

Në mbyllje te vizitës së tij në Parlamentin Britanik dhe Dhomën e Lordëve, lideri i opozitës Basha ishte i ftuar i nderit në një darkë pune me anëtarë të parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër. Në qendër të diskutimeve ishte siguria, stabiliteti në Evropën Juglindore dhe kriza politike në Shqipëri. Siç bën me dije zyra për shtyp e selisë blu, Basha gjatë fjalës së tij shprehu mirënjohjen për ndihmën e çmuar të Britanisë së Madhe për kapërcimin me sukses të sfidave jetike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, në veçanti, në luftën e Kosovës dhe procesin e pavarësimit të saj. Lideri i opozitës i njohu bashkëbiseduesit me propozimet e PD dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza përmes një procesi të lirë zgjedhor nën kujdesin e një qeverie tranzitore, e cila do t’i çlirojë duart drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të kapur në bashkëpunim me krimin për vjedhjen e zgjedhjeve. “Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë mund të luftojë krimin e organizuar që e ka shndërruar Shqipërinë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, në një bazë operacionale të rrjeteve kriminale, që veprojnë nga Amerika në Evropë dhe Lindjen e Mesme”,-tha Basha.

Vettingu i politikanëve

Shefi i opozitës i njohu miqtë britanikë edhe me programin e Partisë Demokratike, në veçanti, me masat që do të marrë përmes vetingut të politikanëve dhe goditjes me tolerancë zero të krimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale. Kreu i opozitës shpjegoi se këto masa synojnë t’u japin fund trafiqeve dhe pastrimit të parave të pista të krimit, në mënyrë qe të hapet rruga për Shqipërinë e standardeve evropiane me barazi para ligjit, liri dhe mundësi për të gjithë qytetarët e saj. Në përfundim të vizitës së tij në Londër Basha shprehu mirënjohjen për takimet e frytshme të nivelit të lartë dhe interesin e madh me të cilin autoritetet britanike përcollën krizën politike në Shqipëri. Ai shprehu bindjen se me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve tanë strategjikë euroatlantikë, Shqipëria do ta kapërcejë këtë krizë dhe do t’i japë fund tranzicionit të tej zgjatur përmes reformave të thella politike që do të çimentojnë kontrollin demokratik të qeverisjes nga qytetarët dhe sundimin e ligjit. “Për Partinë Demokratike është prioritet strategjik forcimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar jo vetëm në fushën e sigurisë dhe luftën kundër krimit, por në veçanti, në fushën ekonomike dhe atë të investimeve britanike”- nënvizoi kryetari i opozitës.

Diskursi për kufijtë

Ndër të tjera, kreu i opozitës, gjatë bisedës me miqtë britanikë shprehu qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Partisë Demokratike se përpjekjet dhe diskursi mbi kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve Serbi-Kosovë shkon kundër këtyre arritjeve, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe minuar perspektivën evropiane të vendeve dhe popujve të rajonit. “Autokratët e korruptuar përbëjnë një kërcënim për demokracinë dhe stabilitetin. Kriza e thellë ne Shqipëri ilustron qartë se pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë stabilitet dhe as zhvillim ekonomik. Forcimi i institucioneve demokratike, kontrolli dhe kufizimi i pushteteve, drejtësia e pavarur dhe zgjedhjet e lira janë parakusht për integrimin e vendeve tona në BE. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë dhe legjitimitetin e qeverisë para qytetarëve. Për këtë qëllim hapi më emergjent është shkëputja e lidhjeve të provuara mes krimit të organizuar dhe politikës”,-vuri në dukje zoti Basha.

Basha për qeverinë tranzitore

Edhe pse kreu të PD-së, Lulzim Bashës iu bë thirrje nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Britaninë e Madhe, Andrew Page se duhet të ulet në tavolinë me Ramën pa kushte, Basha ka vijuar me qëndrimin e tij dhe opozitës jo parlamentare. “Largimi i qeverisë dhe kryeministrit të kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me krimin për të shkatërruar procesin zgjedhor të 2017 dhe krijimi i një qeverie tranzitore janë mënyra e vetme për zgjidhjen politike të krizës” ka deklaruar Basha nga Parlamenti britanik. Basha në këtë vizitë u takua me kryesuesit e Grupit Parlamentar bipartizan për Shqipërinë në Parlamentin Britanik, deputetët John Grogan (kryetar i grupit) dhe Martin Vickers (nën kryetar). “Zgjedhjet e diktuara nga krimi janë rrënja e krizës, sepse kanë prodhuar një parlament të diktuar nga krimi dhe jo nga vota e shqiptarëve. Politikanet që janë kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet e 2017-ës, duhet të ndëshkohen dhe jo të promovohen. Pa shkëputur lidhjet e krimit me politikën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Largimi i qeverisë dhe kryeministrit të kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me krimin për të shkatërruar procesin zgjedhor të 2017 dhe krijimi i një qeverie tranzitore janë mënyra e vetme për zgjidhjen politike të krizës” – theksoi Basha më pas.

PD kundër Tërmet Peçit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu shprehet se kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, nuk do të arrijë të marrë një tjetër mandat në këtë bashki. Përmes një postimi në “Facebook”, Shehu shkruan se zgjedhjet nuk do të bëhen më 30 qershor, por kur mazhoranca të mos ketë mundësi të blejë votat me paratë e drogës. “Dua t’i them Tërmetit dhe të gjithë tërmeteve se zgjedhjet aty do të bëhen jo me 30 qershor, po vetëm atëherë kur ju të mos keni më mundësi të blini votat me paratë e drogës, kur ju të mos mundeni më të terrorizoni fshatarët me “gogolin” e kanabisit të kultivuar, për të cilin në fakt ata kanë paguar një haraç të lartë atyre që duhej ta ndalonin atë veprimtari kriminale, kur kriminelet e pasuruar me ato para të mos mund më të detyrojnë qytetarët e nderuar të atyshëm të votojnë për klanin tuaj”,-shkruan Shehu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat