Salvador Kaçaj lë Bindjen dhe tërhiqet nga gara zgjedhore: Kauza e opozitës, e drejtë!

Shqipëria

Salvador Kaçaj lë Bindjen dhe tërhiqet nga gara zgjedhore: Kauza e opozitës, e drejtë!

Më: 20 maj 2019 Në ora: 15:46
Salvador Kaçaj

Vetëm pak orë pas regjistrimit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, kandidati i Bindjes Demokratike për kryebashkiak të Lezhës, Salvador Kaçaj ka deklaruar dorëheqjen nga gara për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Përmes një letre drejtuar KQZ për tërheqjen nga kandidimi, Kaçaj shprehet se propozimin për të përfaqësuar Bindjen Demokratike në 30 Qershor e vlerësoi si një mundësi për të marrë pjesë në një garë për të mirën e Lezhës, por se disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve, e kanë nxitur që të rishikojë vendimin.

"Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim njëpartiak, të përzier me krimin. Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë në 30 Qershor do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjthë Shqipërisë".

Kaçaj nënvizon se jo gjithmonë ka përkrahur vendimet politike të Partisë Demokratike, por gjykon se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë. 

Kjo e bën sot Partinë Demokratike të vetmen alternativë që përfaqëson realisht vlerat europiane, thotë Kaçaj duke deklaruar largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen nga kandidimi për Bashkinë e Lezhës, duke iu bashkuar kauzës së Partisë Demokratike dhe opozitës për mbrojtjen e demokracisë deri në fitore.

Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

NJOFTIM MBI TËRHEQJEN NGA KANDIDIMI

Gjatë gjithë jetës sime profesionale dhe politike kam qenë pjesë e shumë garave, shumicën e tij të cilave i kam fituar. Edhe propozimin për të përfaqësuar Bindjen Demokratike në 30 Qershor e vlerësova si një mundësi për të marrë pjesë në një garë për të mirën e Lezhës.

Disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve më kanë nxitur të rishikoj vendimin për të qenë kandidat në zgjedhjet e 30 Qershorit nën siglën e Bindjes Demokratike.

U jam mirënjohës qytetarëve dhe miqve të vërtetë që më bënë të kuptoj se ajo ku kisha pranuar të hyja nuk ishte një garë e vërtetë, por farsë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës.

Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim njëpartiak, të përzier me krimin. Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë në 30 Qershor do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjthë Shqipërisë.

Jo gjithmonë kam përkrahur vendimet politike të Partisë Demokratike, por gjykoj se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë. Kjo e bën sot Partinë Demokratike të vetmen alternativë që përfaqëson realisht vlerat europiane.

Për këto arsye, deklaroj largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen time nga kandidimi për Bashkinë e Lezhës, duke iu bashkuar kauzës së Partisë Demokratike dhe opozitës për mbrojtjen e demokracisë deri në fitore.

Me respekt,

Salvador KAÇAJ

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat