Firmosi për Patozin, Koka thumbon Berishën: Ndryshimet kushtetuese, sot po pengojnë ish-bashkëpunëtorin e tij

Shqipëria

Firmosi për Patozin, Koka thumbon Berishën: Ndryshimet kushtetuese, sot po pengojnë ish-bashkëpunëtorin e tij

Më: 20 maj 2019 Në ora: 19:31
Lefter Koka

Deputeti Lefter Koka thotë se ka mbështetur partinë e re Bindja Demokratike me vullnetin e tij të plotë, duke vazhduar të aderojë me bindjet e tij të majta.

Koka ka sjellë në vëmendje ndryshimet kushtetuese të ish- kryeministrit Sali Berisha, të cilat sipas tij janë kthyer në pengesë për kandidimin në zgjedhjet lokale të Patozit.

Ai i kujton liderëve të PS fushatën e pamëshirshme ndaj LSI, ndërsa sot janë në koalicion me të, duke i kujtuar se për të shpëtuar veten, janë gati të bëjnë pakt dhe me “djallin”.

Postimi i plotë Lefter Kokës:

Në Shqipërinë e çudirave ndodh gjithçka.

Ndryshimet kushtetuese të Berishës në 2008-ën, me qëllimin e vetëm, eleminimin e çdo kundërshtari, sot kthehen në një pengesë serioze për kandidimin në zgjedhjet lokale, të ish bashkëpunëtorit të Berishës dhe kontribuesit të PD-së z. Astrit Patozi. 

Kujtoj këtu liderin e opozitës, që në një fushatë të pamëshirshme Maj – Qershor 2017 përqëndroi gjithë forcat e tij kundër LSI dhe jo vetëm kaq, por e etiketoi këtë forcë politike si të keqen e shqiptarëve. 

Shohim qartë sot njerëz që për pushtet e për të shpëtuar veten janë të gatshëm të bëjnë pakt edhe me djallin. 

Kuadri ligjor dhe vullneti i popullit për një rrugë të shpejtë të vendit drejt integrimit evropian ja jep Bindjes Demokratike këtë legjitimitet, ndaj me vullnet e bindje të plotë unë mora vendimin të mbështes me firmën time z. Patozi në rrugën e tij dhe mbështetësve të tij, duke vazhduar të besoj dhe aderoj në bindjet e mia të majta. 

Unë besoj se një klasë e re politike opozitare është domosdoshmëri për Shqipërinë demokratike e pluraliste. 

Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si i majtë, nuk do i toleroja asnjëherë vetes të mos angazhohesha në një situatë të turbullt politike si kjo që vendi po kalon sot.

Pa retorikë, pa mashtrime politike, por me kontribut real . Fatmirësisht sot jam i lirë të mbështes çdo parti, Kryetar partie apo individ që unë gjykoj se japin një garanci më shumë për të ardhmen e sigurt të vendit. 

Më duhet të ndaj mbështetjen për individin pasi sot fatkeqësisht shohim se individët shpesh kanë rol më të rëndësishëm se zëri i partisë .

Duket e vështirë për ne politikbërësit, padashur të mendoj sa e vështirë duhet të jetë për qytetarin shqiptar, për të dalluar sot të mirën nga e keqja. 

Ndaj dua të garantoj çdokënd e mbi të gjitha votuesit që më besuan votën e tyre, se do të bëj të pamundurën të mundur për qytetin tim Durrësin, për vendin tonë Shqipërinë. 

Sot përballë meskines dhe shpirtngushtësisë na duhet qetësi në gjykim, për të kuptuar nëse duhet të largohet një apo të gjithë dhe çfarë mund të sjellë një klasë e re politike në opozitë. 

Shqipëria do të bëhet, Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët! Rruga Euro-Atlantike është rrugë pa kthim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat