Manastirliu: 4000 profesionistë të bluzave të bardha të trajnuar jashtë vendit

Shqipëria

Manastirliu: 4000 profesionistë të bluzave të bardha të trajnuar jashtë vendit

Më: 22 maj 2019 Në ora: 11:07
Foto ilustrim

“Në këto 5 vite, përpos investimeve në infrastrukturën e kujdesit parësor e spitalor në pajisje biomjekësore, në rritjen e pagave, investimet në shëndetësinë elektronike, një rëndësi të veçantë i kemi kushtuar procesit të edukimit në vazhdim dhe certifikimit të tyre, si një nga parakushtetet që garanton edhe standardin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në konferencë e-learning në Mjekësi.

“Edukimi i vazhdueshëm i profesionistëve të shëndetësisë është një nga mekanizmat që garanton se këta të fundit nuk dekualifikohen me kalimin e kohës dhe e kryejnë detyrën e tyre bazuar në dije të përditësuara. Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim është struktura publike që certifikon kurrikulat e paketës së programeve të edukimit në vazhdim nga struktura të akredituara dhe struktura që akreditojnë vetëm aktivitete specifike”, tha Manastirliu.

Ajo shtoi se, “gjatë 2018, janë akredituar më shumë se 850 aktivitete të akredituara, dhe mbi 4.500 mjekë, 9.600 infermierë, 2.300 stomatologë, 2.000 farmacistë kanë ndjekur programe të certifikuara të edukimit në vazhdim”.

“Në ndryshimet në ligjin e kujdesit shëndetësor, që miratuam para dy javësh në Kuvend, garantojmë mes të tjerash që proces i edukimit në vazhdim të mos mbetet në dëshirën e mirë të profesionistëve, por edukimin e vazhdueshëm dhe certifikimin e njohurive nëpërmjet licensimit, të jenë kusht për ushtrimin e suksesshëm të profesionit. Me këtë ligj, kemi rritur edhe përgjegjësinë e drejtuesve të institucioneve shëndetësore për procesin e edukimit në vazhdim të stafit mjekësor që ka në drejtim, po ashtu dhe sigurimin që ky proces të kryhet nga struktura të certifikuara”, tha Manastirliu.

Ajo vijoi se, “forcimi i masave ligjore për edukimin në vazhdim do të prodhonte një efekt të pjesshëm nëse nuk do të shoqërohej me krijimin e mundësive të reja për edukim në vazhdim, nëpërmjet teknologjisë së informacionit”.

“Ne kemi sot në dispozicion një sërë sistemesh elektronike. Disa prej tyre i shërbejnë drejtpërsëdrejti lehtësimit të procedurave për qytetarët siç është sistemi elektronik i vizitës mjekësore apo e-referimi, eRx dhe regjistri i kartës së shëndetit, kanë transformuar praktikën e punës për mjekët dhe shërbimin për pacientët. Disa të tjerë si regjistrat e sëmundshmërisë, regjistri i kontrollit shëndetësor bazë apo regjistrat e barnave u shërbejnë profesionistëve të shëndetësisë për të menaxhuar më mirë të dhënat, por dhe për të bërë analiza që i shërbejnë punës së tyre”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Manastirliu shtoi se, “janë mbi 40 mijë veprime në ditë që regjistrohen online, mbi 100 mijë qytetarë që çdo muaj përcaktojnë elektronikisht vizitat dhe ekzaminimet te mjeku specialist, pasi përdorimi korrekt i teknologjisë dhe vullneti i mirë për të ndërtuar sisteme që vënë të parin qytetarin, u kanë mundësuar këtyre pacientëve të mos presin më në rradhë të gjata e të rrëmujshme para dyerve të mjekëve specialistë, siç bënin pak vite më parë, por të zgjedhin fashën orare”.

“Së shpejti do të shtrijmë recetën elektronike edhe për barnat jo të rimbursueshme, kjo do të na lejojë të kemi një panoramë më të plotë të barnave që përshkruhen e përdoren në popullatë shqiptare. Po punojmë për Sistemin e Informacionit Spitalor, i cili do të lehtësojë administrimin në spitale dhe rrisë llogaridhënien. Një nga avantazhet kryesore të pasjes së sistemeve elektronike është pikërisht, menaxhim më i mirë i burimeve dhe i të dhënave”, shtoi Manastirliu.

“Me ndryshimet Ligjore të miratuara së fundmi në ligjin për kujdesin shëndetësor, po fillojmë integrimin e sistemeve të informacionit brenda sistemit shëndetësor publik, por edhe me institucionet shëndetësore private. Kjo do të prodhojë një sërë lehtësirash për profesionistët e shëndetit në aksesimin në kohë reale të të dhënave të pacientëve. Por që të dhënat të jenë të dobishme, ato duhen analizuar e duhen lexuar vazhdimisht”, u shpreh Manastirliu.

“E-learning apo edukimi në distancë, nuk është një koncept i ri për Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, pasi në vitet e fundit ka akredituar mbi 130 aktivitete të edukimit në distancë. Deri me sot rreth 4000 profesionistë shëndetësie kanë marrë pjesë në aktivitete të edukimit në distancë të akredituara nga QKEV ose jashtë vendit”, u shpreh Manastirliu.

Ajo shtoi se, “e-learning ofron një mjet që mjekët mund ta ndjekin aktivitetin nga zyra, nga shtëpia apo nga kudo të jenë, mjafton të jenë të lidhur me internet e një lap top dhe është avancuar në këto 5 vite, në aksesin e mjekëve në teknologji, janë më shumë se 1500 mjek familje që zhvillojnë punën e tyre kështu. Jemi në kushte të favorshme, ku përdorimi i teknologjisë mundëson që të tilla platforma të testojnë profesionistët dhe t’i certifikojnë ata, pa frikën e duplikimit apo falsifikimit të arritjeve”.

“E-learning apo edukimi në distancë nuk është zëvendësuesi absolut i formave tradicionale të edukimit në vazhdim, por është vektori që rrit aksesin e çdo profesionisti të sistemit shëndetësor publik e jopublik në evente dhe trajnime, pavarësisht se në cilin cep të vendit ndodhet ai. Ndaj jam entuziaste për këtë investim që po behet në këtë drejtim nga partnerë serioz të njohur ndërkombëtarisht, në mundësinë që do i ofrojë profesionistëve ky investim. Një trupë profesionistësh me dije të përditësuara reflektohet në cilësinë e shërbimit që marrin çdo ditë qytetarët shqiptarë”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat