Policia pa armë në protesta, ndalohen edhe të shtënat në ajër - Bota Sot
Policia pa armë në protesta, ndalohen edhe të shtënat në ajër

Shqipëria

Policia pa armë në protesta, ndalohen edhe të shtënat në ajër

Më: 22 maj 2019 Në ora: 11:41
Protesta

Deklaratat e përsëritura të kryeministrit Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj se, ndryshe nga qeveria e Sali Berishës, nuk do vrasin protestuesit pavarësisht veprimeve të tyre dhunshme dhe sulmeve ndaj institucioneve, janë reflektuar në një dokument të Policisë së Shtetit, në të cilin përcaktohet strategjia e menaxhimit të protestave.

Nga dokumenti që disponon redaksia e Shqiptarja.com, strategjia është hartuar nga një grup pune i përbërë nga Agron Çeli (drejtues), Luigj Vathi (kryekomisar), Besnik Ahmetaj (kryekomisar) dhe znj. Alketa Tari, në fund të vitit 2018, disa muaj para nisjes së protesta të dhunshme të opozitës joparlamentare dhe vazhdon të zbatohet edhe në protesta e ditëve të fundit.

Strategjia ose plani përcakton disa procedura standarde që duhet të ndjekin drejtuesit e strukturave të politikë për planifikimin, organizimin dhe drejtimin e shërbimeve të policisë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimeve të tubimeve. Për garantimin maksimal të sigurisë fizike të protestuesve, plani parashikon ndalimin rreptësisht për të mbajtur armë për të gjithë punonjësit e policisë që angazhohen për mbarëvajtjen e protestave. Gjatë protestave është e ndaluar edhe përdorimi i fishekëve prej gome: sipas një relacion të brendshëm të hartuar nga ministria në data 17 maj e që Shqiptarja.com e disponon, hera e fundit që janë përdorur nga policia shqiptare fishekë gomë, është dita tragjike e 21 janar 2011 kur në fakt u përdorën edhe fishekë me plumba.

Çarmatimi i policisë gjatë protestave shmang gjithashtu çdo skenar të mundshëm të segmenteve të caktuara për qëlluar me armë ndonjë protestues nga brenda protestës dhe për të akuzuar më pas policinë, me qëllim për të krijuar trazira. Pajisjet e vetme që duhet të mbajnë punonjësit e policisë gjatë tubimeve janë rripi multifunksional, shkopi gomës dhe hekurat lidhëse. “Të gjithë punonjësit e policisë të strukturave të rendit publik (edhe të FLO-së në rast se kërkohen), do të jenë të veshur me uniforma policie të shërbimit. Të gjithë punonjësit e policisë së strukturave të rendit publik që janë të angazhuar drejtpërdrejt për mbarëvajtjen e një tubimi, të jenë të pajisur me rripin multifunksional, shkop gome, hekura lidhës dhe pa armatim personal. Vetëm forcat e tjera të strukturave që nuk janë përfshirë në përballimi e protestave por që do të jenë në shërbim në kontrollin e territorit në qytet, mund të jenë të pajisura dhe me armatim personal. Në rast se do të ketë reshje shiu të parashikohen për të gjithë punonjësit e policisë të angazhuar me shërbim edhe "pelerina shiu”, thuhet në dokumentin e policisë.

Ndalohet edhe të qëlluarit në ajër

Nëse qeveria e mëparshme vrau katër protestues me duar në xhepa jashtë rrethimit të Kryeministrisë, qeveria aktuale ndalon rreptësisht edhe të qëlluarit në ajër. “Në tubimet paqësore dhe pa armë, ndalohet përdorimi i armëve të zjarrit nga punonjësit e Policisë së Shtetit, qofshin ato të ligjshme apo të paligjshme. Ndalohet kategorikisht të qëlluarit lart në ajër me armë mbi grumbullime njerëzish, si një taktikë e papranueshme për shpërndarjen e tyre. Përdorimi i armëve të zjarrit për të shmangur një rrezik publik, që paraqet një tubim i dhunshëm personash, mund të bëhet vetëm në rastet e parashikuara në ligjin nr. 72/2014 ‘për përdorimin e armëve të zjarrit’ si dhe VKM nr, 939 datë 14.10.2015 ‘për miratimin  rregullores për përdorimin e armëve të zjarrit’”, thuhet në dokument.

Kur policia përdor armë

Në planin e policisë parashikohet përdorimi i armëve vetëm kundër personave të veçantë të armatosur dhe të cilës "kryejnë vepra të dukshme kundër jetës së një personi ose shërbimeve të policisë". Edhe në këtë rast ekstrem, arma e zjarrit përdoret vetëm kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara. “Përdorimi i armëve të zjarrit është i lejueshëm vetëm kundër personave të veçantë të armatosur, të cilës kryejnë vepra të dukshme kundër jetës së një personit ose shërbimeve të policisë dhe shërbimeve që kryejnë subjektet e tjera, kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara”, parashikon plani.

Shërbimet që organizohen nga policia për menaxhimin e tubimeve

1.Kufizim i largët i sheshit, rrugës, i pallatit të sportit, i stadiumit etj., duke vendosu punonjës policie, patrulla, post-bllok, pika kontrolli, vrojtues etj., sipas skemës së dislokimit dhe në dinamikë me situatën, me detyrë moslejimin e personave të dehur, të atyre që mbajnë sende të forta, armë të llojeve të ndryshme edhe kur i kanë me leje, drejtimin e pjesëmarrësve për në hyrjet, të automjeteve për kalim ose vendparkim.

Kufizimi i afërt i turmës me shërbime vrojtuese, patrullime dhe demonstrime që mbajnë rregullin në vend, sigurimin e turmës nga veprimet e personave jashtë saj, vëzhgojnë elementët keqbërës dhe parandalojnë çdo tentativë të tyre. Shërbime para, brenda dhe ne fund të turmës, kryhen duke vendosur punonjës policie ose grup policësh me detyra për të mbajtur rregullin, për të vrojtuar e parandaluar çdo veprim që bie në kundërshtim me ligjin, bashkërendojnë punën me organizatorët e tubimit etj. Punonjësit e policisë para turmës qëndrojnë në pozicionin anësor për të parë edhe pjesëmarrësit, personalitetet dhe organizatorët, kurse brenda në turmë, zakonisht vendosen punonjës policie të veshur civilë. Sigurimi i trafikut dhe i mjeteve bëhet me personale policor nga ana e policisë rrugore. Sigurimi tribunës dhe i personaliteteve bëhet që në ndërtim, 24 ora para që nga marrja në dorëzim, kur marrin pjesë personalitete të larta. Në territorin e saj nuk lejohen persona të tjerë dhe tribuna kontrollohet. Aty lejohen të futen vetëm personat e planifikuar. Përforcimin e objekteve të rëndësishme, në raste të veçanta jo vetëm pranë vendit ku zhvillohet aktiviteti, por në shkallë qyteti duke dubluar shërbimin në këto objekte. Sigurimin e lartësive, duke vendosur shërbime në to me qëllim për të vrojtuar, sinjalizuar, fotografuar, filmuar gjithë aktivitetin apo situata të veçanta. Organizimi i grupit rezervë, i cili qëndron i gatshëm në vendin e caktuar dhe përdoret në rast nevoje së bashku me mjetet në përdorim me urdhër të drejtuesit që menaxhon shërbimin e policisë për rastet e të papriturave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...