Shtyhet gjyqi i gjyqtarëve të akuzuar për korrupsion. Një biznesmen u pagoi biletën e ndeshjes

Shqipëria

Shtyhet gjyqi i gjyqtarëve të akuzuar për korrupsion. Një biznesmen u pagoi biletën e ndeshjes

Më: 22 maj 2019 Në ora: 13:15
Gjyqi i gjyqtarëve

Ka nisur me shtyrje seanca gjyqësore në ngarkim të treshes së gjyqtarëve të Durrësit, të cilët akuzohen për korrupsion, së bashku me një biznesmen. Të katër ata po gjykohen në gjendje të lirë.

Megjithëse është një nga dosjet më të bujshme të hetuara nga Krimet e Rënda për çështje korrupsioni, pasi ka ulur në bankën e të akuzuarve një trupë gjyqësore, Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka arritur ende të gjejë adresën e njërit prej tyre, i cili përveç emrit të rrugës nuk ka shkruar asnjë detaj mbi adresën konkrete.

Për mosgjetje të adresës së gjyqtarit Petraq Dhimitri, gjykata e caktoi seancën e radhës në datën 5 qershor, në mënyrë që t’i lërë kohë policisë për t’i dorëzuar njoftimin në shtëpi Petraq Dhimitrit.

Në proces ishin të pranishëm dy kolegët e tij, Kliton Spahiu dhe Petrit Çeno, si dhe biznesmeni Namik Sadik, që u shprehën se do të jenë të pranishëm në çdo seancë që do të zhvillohet ndaj tyre.

Kjo trupë gjyqësore është e pezulluar nga detyra me një vendim të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pikërisht për llogari të këtyre hetimeve, ndërkohë që njëri nga gjyqtarët, Petrit Çeno është shkarkuar nga shkalla e parë e vettingut.

Prokuroria i akuzon gjyqtarët se, gjatë kohës që kishin nën gjykim dosjen e biznesmenit, ata kanë udhëtuar së bashku me të, në një rast drejt Italisë, e në rastin e dytë drejt Spanjës për të ndjekur ndeshjen Real Madrid-Barcelona.

Përveç kësaj, dy prokurorët e çështjes Klodian Braho dhe Arenc Çela evidentojnë se gjatë kësaj kohe, gjyqtarët dhe biznesmeni kishin komunikme intensive në telefon, në një kohë që për shkak të paanshmërisë nuk lejohet që gjyqtarët të kenë kontakte me palët në gjykim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat