Kush po mashtron shqiptarët me ilaçet që shiten online?

Shqipëria

Kush po mashtron shqiptarët me ilaçet që shiten online?

Më: 23 maj 2019 Në ora: 16:20
"Mos shkoni te mjeku, kemi produktin çudibërës"

Shitja e barnave online dhe forma e reklamimit të tyre, po vë në rrezik shëndetin e njerëzve. Mjafton të porositësh online dhe mund të marrësh edhe ilaçe që pretendohet se shërojnë prostatën brenda dy javëve.

Kjo është një prej këtyre faqeve. Madje, sot më 22 Maj njoftohet se është dhe afati i fundit për të blerë këtë medikament me çmim të reduktuar. Për të rritur besueshmërinë, në krye të saj kjo faqe përdor logon e Organiztës Botërore të Shëndetësisë, por brenda nuk ka asnjë informacion tjetër, përveç promocionit dhe mënyrës se si mund të porositësh ilaçin.

Ky lloj biznesi sot është shumë masiv. Por në mënyrë të paprecednetë, këtu propagandohet anti-mjekësia. Qytetarët shqiptarë këshillohen të mos shkojnë të vizitohen në klinika apo spitale, pasi mjekët janë të korruptuar dhe do t’i këshillojnë të bëjnë analiza të panevojshme dhe do t’u japin shumë medikamente që nuk kanë efekt.

Faqja këshillon se si njerëzit vetë të zbulojnë se kur janë të sëmurë nga prostata dhe pas kësaj të mos shkojnë as në farmaci, por ta porosisin vetëm online ilaçin që ata rekomandojnë. Sepse sipas tregtarëve, kështu veprojnë edhe në Amerikë dhe Kanada. Në faqe jepen informacione mbi ilaçin që shitet në farmaci, i cili sipas tyre nuk është fare i dobishëm.

Dhe ky lloj promocioni dhe kjo propagandë anti-mjekësi nuk ka shkuar dëm. Ai përhapet gjerësisht në rrjetet sociale, dhe vetëm në një postim që ne verifikuam, janë të paktën tre persona që kërkojnë ta blejnë atë.

Shkeljet dhe mashtrimet në këto faqe online janë shumë të rënda. Për të bindur edhe ata që janë më mosbesues se ky medikament është efektiv, kjo faqe i  referohet dhe dy ekspertëve të fushës, mjekëve androlog dhe urolog, Evin Dani dhe Adem Harxhi. Por fotot nuk kanë asnjë lidhje me emrat e mjekëve, ndërsa citimet që iu bëhen janë të rreme.

Këto ilaçe nuk janë barna që duhet të kalojnë përmes Institutit të Kontrollit të Barnave, ndaj dhe autoritetet nuk kanë tentuar të ushtrojnë kontroll mbi këtë lloj tregtie. Por mjekët janë seriozisht të shqetësuar ndaj apeleve që u bëhen njerëzve që të neglizhojnë mjekësinë kur kanë probleme me shëndetin dhe të mjekohen mbi bazën e rekomandimeve që u japin tregëtarët e ilaçeve online.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat