Task Forcë për rolin e Policisë në zgjedhje, ja çfarë parashikohet

Shqipëria

Task Forcë për rolin e Policisë në zgjedhje, ja çfarë parashikohet

Më: 24 maj 2019 Në ora: 08:45
Elizabeta Imeraj dhe Muhamet Rrumbullaku pas nënshkrimit të marrëveshjes

Prokuroria e Tiranës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nënshkruan dje një memorandum bashkëpunimi, me qëllim rritjen e cilësisë së hetimit, si dhe për të parandaluar e dokumentuar veprat penale.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, dhe drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku. Në dokumentin prej 4 faqesh, që u firmos dje nga dy drejtuesit e dy institucioneve, theksohet ngritja e një Task Force, të përbërë nga dy përfaqësues të Prokurorisë së Tiranës, dy nga SHÇBA dhe një oficer i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, që do të gjejë zbatim në 8 fusha kryesore.

Por duke qenë se kjo marrëveshje u nënshkrua pak ditë para nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, një nga pikat e bashkëpunimit dhe hetimit mes dy institucioneve janë edhe shkeljet gjatë procesit zgjedhor nga ana e efektivëve të Policisë dhe roli i tyre.

Në nenin e parë të kësaj marrëveshjeje sqarohet qëllimi i saj, që është: Rritja e efikasitetit dhe bashkërendimi i punës ndërmjet institucioneve; Realizimi i komunikimit dhe shkëmbimit të të dhënave, nëpërmjet krijimit të një Task Force me përfaqësues të të dy institucioneve, me qëllim forcimin e veprimeve të përbashkëta hetimore për çështjet që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve, lëndëve narkotike, veprat penale në procesin zgjedhor, veprimet arbitrare dhe tejkalimin e kompetencave të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës etj..

Në nenin e tretë përcaktohen edhe 8 fushat e bashkëpunimit për kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe shkëmbim informacioni apo të dhënave për veprimtari të kundërligjshme nga ana e subjekteve të SHÇBA-së, që janë: Hetimet për implikimin e policëve në rastet e kultivimit, trafikimit të lëndëve narkotike;

Mbikëqyrja dhe monitorimi i policëve në respektimin e ligjit në fuqi para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, qershor 2019; Mbikëqyrja dhe monitorimi i policëve për zbatimin e ligjit në fuqi, kryesisht të masave të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në aktivitete të ndryshme sociale e kulturore; Hetimeve për aktet korruptive, shpërdorimit të detyrës, favorizimeve të policëve për lejimin e ndërtimeve pa leje, lojërat e fatit etj.;

Hetimet në lidhje me aktet korruptive në realizmin e prokurimeve publike nga ana e Policisë së Shtetit; Hetimet në lidhje me respektimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive personale të njeriut gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e Policisë; Çdo fushë tjetër ku implikohen punonjësit e Policisë në përmbushjen e rregullt të detyrës; Të mbështesin trajnimet dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e hetimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat