“Të kemi kërcënuar ty edhe burrin, apo jo?”, ç’ndodhi në gjyqin ndaj “Shullazit”

Shqipëria

“Të kemi kërcënuar ty edhe burrin, apo jo?”, ç’ndodhi në gjyqin ndaj “Shullazit”

Më: 24 maj 2019 Në ora: 08:46
Ilustrim

Mes debatesh për trupin gjykues dhe mënyrën e njoftimit të viktimave në proces, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda u detyrua të shtynte për të 10-n herë procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë.

Seanca u shoqërua me debate të forta mes avokatëve dhe kryesueses së trupit gjykues, Saida Dollani, ndërsa pjesë e këtij debati u bënë edhe të pandehurit. Ndërkohë që vetëm 4 ditë më parë Këshilli i Lartë Gjyqësor caktoi gjyqtaren Valdete Hoxha në trupin gjykues të Kolegjit të Apelit, Hoxha rezulton se ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit, pasi në Gjykatën e Durrësit ka gjykuar procesin penal mes Ylvi Beqjes, viktimë në këtë proces, dhe Zamir Hasës.

Vetë gjyqtarja kishte dhënë dorëheqjen nga gjykimi i çështjes, por dorëheqja nuk ishte pranuar, ndërsa avokatët mbrojtës të të pandehurve kërkuan përjashtimin e saj, si dhe dy gjyqtareve të tjera të këtij trupi gjykues, Saida Dollanit dhe Albana Boksit. Në seancën e djeshme ishin të pranishëm Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, ndërsa Emiljano Shullazi kishte kërkuar të përfaqësohej nga avokati i tij, Vladimir Meçi.

Ndërkohë, në kushtet kur disa prej gjyqtarëve që më herët u ka rënë shorti për të qenë pjesë e trupës, por edhe gjyqtarë që kanë qenë më vonë pjesë e trupës gjykuese, kanë dhënë dorëheqjen pikërisht për shkak të konfliktit të interesit, duket se procesi është futur në një ngërç që nëse pranohet kërkesa për përjashtimin e një tjetër gjyqtari, Apelit të Krimeve të Rënda do t’i duhet që t’i drejtohet edhe një herë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

SEANCA

Disa javë më parë, në media qarkulloi lajmi se kryesuesja e trupit gjykues, Saida Dollani, ishte kërcënuar dhe se dyshimet binin mbi anëtarët e grupit që po gjykohej në Apel. Në lidhje me këtë lajm, i pandehuri Gilmando Dani i kërkoi Dollanit të sqaronte nëse është kërcënuar prej tyre.

“Keni mbushur opinionin publik me lajme se ne ju kemi kërcënuar. Ju dhe burrin tuaj. A ka mundësi të sqaroni median që është këtu, nëse iu kemi kërcënuar apo jo? Sipas lajmeve në media, ne jemi të dyshuarit kryesorë”, tha Dani, që pas kësaj u largua nga salla e gjyqit dhe u gjobit me 30 mijë lekë gjobë.

Pas largimit të tij, nga seanca u largua edhe pjesa tjetër e të pandehurve. Ndërkohë, në largim Endrit Qyqja tha se e gjithë kjo situatë krijohej prej gjyqtarëve që të kalojnë vetingun. “Doni të kaloni vetingun në kurrizin tonë”, tha Qyqja. Pas largimit të të pandehurve nga salla, u larguan edhe avokatët e tyre, të cilët në përfundim u gjobitën dhe u zëvendësuan nga avokatë kryesisht.

Avokatët debatojnë në Gjykatë, gjyqtarja Dollani i kujton etikën

Që në nisje të seancës së djeshme, avokati Denion Bogdani i tha gjyqtares kryesuese se gjykata nuk i ka çuar atij një fletëthirrje për procesin, duke e konsideruar këtë si një shkelje. “Haptazi ju nuk keni marrë mundimin as të na njoftoni”, tha ndër të tjera Bogdani, të cilit Dollani i kujtoi se etika e avokatit përballë trupës gjykuese është e rregulluar me ligj dhe se ai po e shkelte. Debati i nisur për mosnjoftimin vazhdoi me mënyrën se si ishin njoftuar viktimat e procesit.

Ndërkohë që nga Prokuroria dhe Gjykata këto njoftime ishin të rregullta dhe nuk bëheshin shkak për shtyrje të procesit. Për avokatin Vladimir Meçi, njoftimet për Ylvi Beqjen dhe Jani Zakën nuk janë të rregullta dhe se duhej ndjekur procedura. Edhe për avokatin Denion Bogdani njoftimet ishin të parregullta dhe duhet të përsëriteshin.

“I vetmi njoftim i saktë është ai për Adriatik Kërçukun. Për pjesën tjetër të të pandehurve i konsideroj të parregullta, viktimat nuk kanë marrë dijeni”, tha Bogdani. Kështu, debati mes avokatëve dhe Dollanit vazhdoi edhe për anëtarët e trupit gjykues, së pari për gjyqtaren Valdete Hoxha, sipas të cilëve ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit. “Gjyqtarja Valdete Hoxha ka qenë pjesë e trupit gjykues për një çështje penale, ku palë ka qenë Ylvi Beqja.

Mendojmë se kjo gjyqtare nuk duhet të jetë pjesë e trupës gjykuese. Kërkojmë përjashtimin e saj”, tha Meçi. Por sipas Dollanit, gjyqtarja e kishte dhënë më herët dorëheqjen, por nuk ishte pranuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat