Dëshmitari: Drogën te “Përroi i Kurvajës” e ka mbjellë shteti, ja ç’më thanë 3 djem

Shqipëria

Dëshmitari: Drogën te “Përroi i Kurvajës” e ka mbjellë shteti, ja ç’më thanë 3 djem

Më: 24 maj 2019 Në ora: 10:16
Parcela me droge

Gjykata për Krime të Rënda ka zhvilluar dje seancën gjyqësore në ngarkim të të pandehurve Marko Bushi dhe Shpëtim Lika. Ky i fundit vijon të jetë në arrati, ndërsa ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat “Kultivimit të narkotikeve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Prodhimit dhe shitjes se narkotikëve”. Shpëtim Lika ka qenë funksionar i PD-së në bashkinë e Burrelit dhe ish-kryetari i degës së PD në Komunën Rukaj, ndërsa është marrë i pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzat e mësipërme, bashkë me Marko Bushin. Sipas informacioneve të përcjella në vitin 2016, kur edhe është kryer operacioni antidrogë në fshatin Rremull, në Mat, i pandehuri Marko Bushi dyshohet se kanosi me kallashnikov policinë dhe prokurorin e Rrethit, të cilët ishin duke shkuar në një nga parcelat e mbjella me hashash në këtë zonë. Shpëtim Lika dhe Bushi akuzohen për një sasi droge 3 ton e 52 kg e llojit hashash, që u sekuestrua nga forcat e rendit të komisariatit Burrel, pas një operacioni të gjerë kundër drogës në këtë zonë. Policët e gjetën drogën në një magazinë, në fshatin Rremull. Ndërkohë, çështja e tyre po shqyrtohet nga Gjykata për Krime të Rënda, ndërsa dje kanë dëshmuar katër persona. Ata janë, Selman Lika, Fatime Lika, Adriano Lika dhe Myftar Doçi. “Shekulli” zbardh dëshminë e dëshmitarit Selman Lika, i cili është babai i të pandehurit Shpëtim Lika. Ai ka treguar çfarë ka ndodhur në fshatin e tyre në vitin 2016, ndërtimin e një hangari pranë banesës së tij dhe bisedën me tre djem të rinj që laheshin në lumë.

Dëshmia

“Besim Likën e kam vëlla, banesat i kemi larg rreth 100 metra. Kjo banesë është e braktisur, që prej 13 vitesh. Çelësat e kësaj banese qëndronin në banesën time, në një verandë të varur. Familjarë të vëllait, kur vinin, qëndronin në banesën time dhe shkonin që e hapnin shtëpinë. Çelësat e kësaj banese janë marrë vetëm njëherë nga djali i vëllait tim, Y.L., tjetër njeri këto çelësa nuk i ka marrë. Pranë banesës, është ndërtuar një hangar, që është ngritur në tokën e shtetit. Me sa kujtoj unë, hangari është ndërtuar 3 ditë para se të vinte policia ta kontrollonte, të gjente drogën dhe ta digjte. Hambari është ndërtuar për tërë natën nga shumë veta, ishin rreth 30-40. Unë nuk i numërova, por pashë që ishin shumë dhe nuk e di se kush dreqin e ndërtoi. Ditën kur erdhi policia, ka kryer kontrolle edhe në banesën tonë, ndërkohë Shpëtimi nuk ka qenë aty, ai ishte në Lezhë dhe Durrës, kishte dalë. Ata e bënë copë-copë shtëpinë time, sepse kërkonin drogë. Në lidhje me tokën që është pranë Përroit të Kurvajës, është e Bashkisë që unë ia kam marrë me qira për 10 vite.

Aty kisha mbjellë misër të kuq e fasule, edhe gjatë 2016-ës unë e kam pasur si pronë. Djali im Shpëtimi gjatë gjithë jetës është marrë me tregti. Kemi patur dhe një dyqan të vogël, si dhe shpërndante edhe pensionet në fshat. Ai më së shumti qëndronte në dyqan, i cili është rreth 30 minuta larg nga shtëpia, në shtëpi vinte vetëm për t’u larë. Furnizimin e tij me ushqime e bënte vetë djali. Marko Bushin e njoh pasi jemi në të njëjtën njësi administrative, por ai është nga një tjetër fshat. Atë ditë, por edhe më parë nuk e kam parë në atë zonë. 2 kilometra larg shtëpisë time ishte mbjellë një parcelë me bimë që nuk u them dot emrin. Për mua atë drogën e ka mbjell shteti, kush do e mbillte tjetër. Gjatë asaj kohë, unë kam takuar 3 djem të cilët ishin duke u larë në lum. I jam afruar dhe njëri prej tyre kishte një pistoletë, e kam pyetur se pse e kishte dhe më tha se nuk duhet të shqetësohesha sepse ai nuk do i bënte keq kujt dhe nuk po shkelte asnjë ligj të shtetit. Për nga dialekti mendoj se ai ka qenë nga jugu”, ka treguar seancën e djeshme Selman Lika.

Operacioni

Gjykata e Krimeve të Rënda më datë 21.03.2017, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg”, në mungesë, për Marko Bushin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”. 41-vjeçari nga Burreli i cili u akuzohet se tre vite më parë ka kërcënuar prokurorin dhe forcat e policisë të cilët kishin shkuar për të asgjësuar dy parcela me mbi 10 mijë rrënjë kanabis. U desh ndërhyrja e FNSH-së që operacioni të vijonte dhe të finalizohej me asgjësimin e bimëve narkotike. Më datën 05.10.2016, në bazë të një plani paraprak, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, kanë ushtruar kontroll territori për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Myzë, Njësia Administrative Lis, Bashkia Mat. Gjatë operacionit u gjetën dy parcela të kultivuara me bimë narkotike ku u asgjësuan gjithsej 10 480 bimë kanabis sativa. Policia thotë se Marko Bushi ishte në rolin e organizatorit të grupit kriminal. Ndërkohë në operacionin e 5 tetorit 2016 u arrestua bashkëshortja e të dyshuarit kryesor për kultivimin e parcelave me kanabis në fshatin Myz të Matit. Ndërsa policia gjatë kontrollit të banesës gjeti 2 kg drogë në formë boçeje, në proces tharje. Atëherë policia deklaroi se kishte shpallur në kërkim Fatmir Shehini, i dyshuar kryesor i kultivimit të bimëve narkotike.

Arrestimi

Marko Bushi është vënë në pranga vetëm 9 muaj pas operacionit antidrogë. Ai dyshohet si organizator i një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës. Marko Bushi u arrestua në sajë të operacionit të koduar “Myzë” në një lokal në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Tre vit më parë, Policia e Matit ka ushtruar kontroll për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Myzë të Matit. Gjatë operacionit u gjetën dy parcela të kultivuara me bimë narkotike ku u asgjësuan gjithsej 10 480 bimë kanabisi. Marko Bushi i ka kërcënuar Prokurorin dhe forcat e Policisë lokale, por me ndërhyrjen e FNSH-së operacioni vijoi dhe u finalizua me asgjësimin e bimëve narkotike. Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas ishte në rolin e organizatorit të grupit kriminal. Marko Bushi po Gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ku mbi të rëndojnë disa akuza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat