Reagon Calavera: Gjykata Kushtetuese çmim i lartë për tu paguar. Sulmi i papranueshem

Shqipëria

Reagon Calavera: Gjykata Kushtetuese çmim i lartë për tu paguar. Sulmi i papranueshem

Më: 24 maj 2019 Në ora: 10:46
Calavera

Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) është përfshirë në debatin e fundit lidhur me reformën në drejtësi dhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Pas akuzave nga presidenti Ilir Meta se reforma në drejtësi ka dështuar dhe se EURALIUS kishte motiv politik Calavera shkruan një artikull me titull " Reforma e drejtësisë dhe vetingu: për qytetarët, me qytetarët".

Opinioni nis me faktin se BE-ja dhe SHBA-ja janë plotësisht të përkushtuara që të vazhdojë ta mbështesë reformën e gjyqësorit në Shqipëri, për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike ku askush nuk është mbi ligjin. Vetingu i gjyqësorit është një hap thelbësor në këtë drejtim.

Calavera pranon se "mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, sigurisht, një çmim shumë i lartë për t’u paguar për tranzicionin. Nuk duhet të habitemi që procesi i rivlerësimit ka pasur implikime dhe pasoja në gjyqësor në të gjitha nivelet. Megjithatë, procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve është në vazhdim dhe ky tranzicion do të përfundojë së shpejti." 

Ndër të tjera Calavera: "Duke pasur parasysh interesin e lartë publik, është e rëndësishme të sigurohet monitorimi nga afër i procesit dhe të kontribuohet në mënyrë konstruktive në progresin e tij. Megjithatë, kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte të padrejta dhe të papranueshme, duke përfshirë edhe rastet kur i drejtohet personalisht anëtarëve individualë të institucioneve të vetingut. 

Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet. Është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shqiptare, partive politike, si dhe e shoqërisë civile, që të sigurojnë se forcimi i pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit përmes këtij procesi është i garantuar. 

Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë, teksa Shqipëria do të kalojë nga faza e tranzicionit të reformës gjyqësore në zbatimin e saj të plotë. Organet e vetingut do të sigurojnë trajtimin e vazhdueshëm të rasteve prioritare në mënyrë që institucionet e reja të mund të krijohen plotësisht."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat