AKU bllokon mbi 193 kg produkte të skaduara dhe gjobit subjektin me 800,000 lekë

Shqipëria

AKU bllokon mbi 193 kg produkte të skaduara dhe gjobit subjektin me 800,000 lekë

Më: 24 maj 2019 Në ora: 13:36
Ilustrim

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar rreth 193.2 kg ushqime të skaduara në njësitë tregtare në Laknas dhe Kamëz, Tiranë dhe ka gjobitur subjektin me 800 mijë lekë.

Me fokusin për të mbrojtur shëndetin dhe interesin e konsumatorëve vijon pandërprerë kontrollet tek Operatorët e Biznesit Ushqimor me qëllim parandalimin e tregtimit të produkteve të cilave u ka kaluar afati i përdorimit, si dhe parandalimin e praktikave mashtruese që subjekte të ndryshme tentojnë të bëjnë.

AKU bëri të ditur sot se, në vijim të një komunikimi në faqen zyrtare Facebook të AKU-së nga një konsumator i përgjegjshëm që njoftonte tregtimin e produkteve me afat të kaluar përdorimi nga operatori “Market Geni” me adresë në Laknas, Kamëz, AKU kreu kontroll për zbatimin e legjislacionit në fuqi.

Gjatë kontrollit, operatori nuk paraqiti dokumentacionin shoqërues (faturat e blerjes së produkteve) as planin e vetëkontrollit dhe në përfundim rezultoi se shiteshin jashtë afatit të përdorimit 73 litra vaj ulliri me datë skadence dhjetor 2017 dhe tetor 2018 (13 pako me paketim 5lt dhe 8 shishe 1lt), 45 kanaçe birre në total me afat përdorimi 11/5/2018 për 23 kanaçe dhe datë të fshirë përdorimi për pjesën tjetër si dhe produktet e tjera ishin karamele, çokollatë, kafe, qumësht, ujë, lëngje frutash, margarinë, madje dhe havjar.

Në total u bllokuan për asgjësim 193.2 kg produkte ushqimore që mbaheshin nga subjekti në vitrinë për shitje megjithëse u kishte kaluar afati i përdorimit, që në dhjetor 2018 dhe pӫr shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit për “Ushqimin” u vendos masa e gjobës për tregtim produktesh ushqimore përtej afatit të përdorimit, me vlerë 500,000 lekë, për mungesë të sistemit të vetëkontrollit (HACCP), u vendos gjoba me vlerë 100,000 lekë dhe 200.000 mijë lekë u vendos gjobë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.

AKU i shpreh mirënjohjen qytetarit që raportoi shqetësimin e tij dhe përgëzon për shpejtësinë dhe saktësinë e reagimit të stafit të AKU-së. Në këtë rast risku ushqimor u menaxhua, por si ky rast (operatorë që tregtojnë produkte të skaduara) mund të ketë edhe të tjerë. E nëse ka, ato përbëjnë kërcënim për shëndetin tonë e duhen trajtuar sipas parashikimeve ligjore, siç u veprua në këtë rast.

Së shpejti, me ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, tregtimi i produkteve ushqimore me afat të kaluar përdorimi do përbëjë vepër penale dhe do ndëshkohet si e tillë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat