Calavera i përgjigjet Metës/ “Reforma po ecën, gjykatat bosh do të plotësohen”

Shqipëria

Calavera i përgjigjet Metës/ “Reforma po ecën, gjykatat bosh do të plotësohen”

Më: 24 maj 2019 Në ora: 14:14
Genoveva Ruiz Calavera

“BE dhe SHBA janë të angazhuar për të vazhduar mbështetjen e reformave në sistemin gjyqësor në Shqipëri, për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike ku askush nuk qëndron mbi ligjin.”

Kështu, drejtoresha për Ballkanin perëndimor, në komisionin evropian, dhe shefja e operacionit ndërkombëtar të monitorimit, ONM, Genoveva Ruiz Calavera ka reaguar në uebsajtin e BE, pas deklaratave të Presidentit Ilir Meta për dështim të reformës në Drejtësi. Në opinion e saj Calavera bën bilancin dhe tërheq vëmendjen se vetting-u do të vazhdojë për disa vite deri sa të përfundojë vlerësimi i mbi 800 gjykatësve dhe prokurorëve.

“BE mbështet plotësisht gjyqësorin e ri të ndarë dhe këshillat prokurorialë që janë ngritur si edhe këshillin e ri të emërimeve në gjyqësor ndërsa pranon se do të duhet kohë për të ndërtuar një sistem të ri, të fortë”.

Vetingu, shkruan Kalavera, është një proces kompleks dhe cdo dosje është e veçantë dhe e ndryshme nga njëra tjetra. ONM ka monitoruar vendimet në të gjitha nivelet dhe ka ndjekur nga afër rezultatet. Tani vëmendja duhet kthyer nga apelimi.

“Është e rëndësishme të vëmë re se nëse një subjekt mendon se të drejtat e tij ose saj individuale janë prekur në proces, kushtetuta e Shqipërisë garanton se ai ose ajo kanë të drejtën ti drejtohen gjykatës evropiane të të drejtave të njeriut në Strasburg. Një numër subjektesh i kanë dërguar çështjet e tyre në gjykatë dhe vendimet e ardhshme do të kontribuojnë tek jurisprudenca e institucioneve të vetingut.”

Nëse shihen rezultatet e deritanishme të vetingut, thotë Kalavera, është e qartë se procesi ka dhënë fryte. Sigurisht, është problematike mungesa e kuorumit në gjykatën kushtetuese por puna për zëvendësimin e gjyqtarëve vazhdon dhe tranzicioni do të kalojë shpejt.

“Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet. Është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shqiptare, partive politike, si dhe e shoqërisë civile, që të sigurojnë se forcimi i pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit përmes këtij procesi është i garantuar”

Muajt e ardhshëm për Kalaverën janë vendimtarë. Sidoqoftë, BE-ja, së bashku me SHBA-në dhe ONM, do të vazhdojnë ta mbështesin këtë proces në mënyrë që populli shqiptar të përfitojë nga reforma dhe të krenohet me ndryshimin që kërkoi dhe që e ka dëshiruar për një kohë kaq të gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat