Pas deklaratës së djeshme të Presidentit të Republikës, Ilir Meta se është i gatshëm të rishikonte shtyrjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri për hir të zgjidhjes së krizës dhe ruajtjes së rendit demokratik, ka reaguar Këshilltari i CDU-së, Martin Henze.
Këshilltari i partisë së Kancerlares Gjermane, Anglea Merkel ka komentuar në statusin e kreut të Shtetit në rrjetin social “Twitter”, ku përgëzon presidentin e vendit duke e cilësuar si një burrë dhe një demokrat të vërtetë në gadishullin e Ballkanit Perëndimor.
“Një burrë dhe një demokrat i vërtetë në Ballkan, përgëzime!”- thuhet në komentin e këshilltarit të CDU-së, Martin Henze.
Presidenti i vendit deklaroi dje se është i gatshëm të rishikojë edhe mandatin e tij me qëllim që të zgjidhet kriza politike në vend, por njëherësh të ruhet stabiliteti dhe të garantohet rendi e siguria kushtetuese.
Ndërkohë zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, Johann David Ëadephul, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, dolën të premten me një qëndrim të përbashkët mbi situatën në Shqipëri.
Në deklaratën që publikoi DË thuhet se ata kanë përsëritur kërkesën e tyre për dialog pa kushte ndaj qeverisë dhe opozitës, por kanë sugjeruar edhe si opsion shtyrjen e datës së zgjedhjeve.