Balluku: Heqja e rezervimeve territoriale do të nxisë rritjen e operacioneve ndërkombëtare të transportit

Shqipëria

Balluku: Heqja e rezervimeve territoriale do të nxisë rritjen e operacioneve ndërkombëtare të transportit

Më: 25 maj 2019 Në ora: 12:50
Belinda Balluku në Lajpcig të Gjermanisë

Konektiviteti global si dhe kuotat multilaterale për transportin rrugor të mjeteve transportuese të tonazhit të lartë ishin në fokus të Ministerialit të Forumit Ndërkombëtar të Transportit i cili u mbajt në Lajpcig të Gjermanisë me pjesëmarrjen e 59 ministrave nga vendet anëtare, ku gjithashtu e pranishme ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjatë diskutimeve të mbajtura, disa prej vendeve anëtare u shprehën se, “duke konsideruar rritjen e vëllimit të tregtisë dhe zbatimin e plotë të Kartës së Cilësisë, zgjidhja më e mirë do të ishte heqja e kufizimeve mbi sasinë e licencave duke krijuar një treg të përbashkët të hapur që do i japë shtysë zhvillimit të industrisë së transportit ndërkombëtar”.

Në fjalën e saj, ministrja Balluku theksoi se heqja e rezervimeve territoriale do të përbënte gjithashtu një avantazh të shtuar që do të nxiste rritjen e operacioneve ndërkombëtare të transportit, e veçanërisht për Shqipërinë pasi pozicioni i saj gjeografik është shumë i ndjeshëm ndaj këtyre kufizimeve.

Rachel Kyte, Drejtoreshë Ekzekutive e Energjisë së Qëndrueshme dhe Përfaqësuese e Veçantë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Energjinë e Qëndrueshme, duke ju drejtuar ministrave të Transporteve nënvizoi se është e rëndësishme që ata të bashkëpunojnë me strukturat e duhura të energjisë me qëllim dekarbonizimin e transportit. Në këtë pikë, Kyte, vlerësoi Shqipërinë pasi ka një ministri që i përfshinë të dyja sektorët Transportin dhe Energjinë.

“Sistemet e transportit janë të ndërlidhura dhe mbështeten pashmangërisht tek sistemet e energjisë. Sfida për ju Ministra të Transportit është të bashkëpunoni me strukturat e duhura të energjisë me qëllim final dekarbonizimin e transportit. Në fakt kjo është një sfidë për disa nga ju, pasi Shqipëria në veçanti, – tha Kyte, – ka një Ministri Transporti dhe Energjie, e cila mendoj se është një arritje e madhe, pasi ky bashkim mundëson bashkërendimin e proceseve politikëbërëse dhe vendimmarrëse për zhvillimin e një transporti të qëndrueshëm që mbështetet në energji të rinovueshme”, u shpreh Kyte.

Vendet anëtare të Forumit Ndërkombëtar të Transportit votuan për të bërë pjesë të ITF-së edhe Tunizinë. ITF është e vetmja organizatë ndërqeveritare me mandat global për të gjitha mënyrat e transportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat