BE apel për protesta paqësore: Palët të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog

Shqipëria

BE apel për protesta paqësore: Palët të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog

Më: 25 maj 2019 Në ora: 16:25
Foto

Pak orë para protestës së opozitës, delegacioni i BE në vendin tonë dhe Ambasadave të Shteteve i kanë bërë apel partive politike shqiptare që të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog, për të gjetur një rrugëdalje.

Në deklaratë thuhet se protesta duhet të jetë paqësore, ndërsa thekson se palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar siguri.

Po ashtu BE thotë se autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen.

Deklarata

Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore.

Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen.

Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat