Pse jo Shqipëria?

Shqipëria

Pse jo Shqipëria?

Më: 26 maj 2019 Në ora: 08:33
Shqiperia

”Pasi dëgjonin se sapo ishim kthyer nga një udhëtim në Greqi dhe Shqipëri, askush nuk na pyeste për Greqinë. Pyetja që na bënin të gjithë ishte përherë e njëjta… Po pse në Shqipëri?”, shkruan blogerja e njohur kanadeze, Colleen Friesen, në faqen e saj të internetit www.colleenfriesen.com, në një përshkrim të kujdesshëm për Shqipërinë, i trajtuar në mënyrë shumë interesante.

Por, babai im do të thoshte: Pse jo në Shqipëri?

Në rregull. Ndoshta ai nuk thoshte pjesën e Shqipërisë, por sigurisht që i pëlqente të përgjigjej me pse jo? sa herë që i jepej mundësia.

Megjithatë, për të kapërcyer faktorin pse jo, sugjeroj këtë foto të parë si përgjigje. Mes Malit të Zi dhe Greqisë, Shqipëria ka 482 kilometra vijë bregdetare, me shumë plazhe.

e më pas do të kaloja te pasuria arkeologjike…

ose ndoshta tek njerëzit e dashur…

ose te barinjtë e deleve, lopëve dhe dhive…

ose te fakti se ”fëmija” brenda meje kishte qejf të thoshte shitet. Dhe pata mundësi ta thosha për shumë kohë pasi tabelat shitet gjendeshin gjithandej…

Edhe pse regjimi shtypës shkatërroi këtë vend, njerëzit dhe disa prej ndërtesave arritën të mbijetonin.

Kishte edhe disa arsye të tjera, disa prej të cilave i zbuluam ndërkohë që udhëtonim në këtë vend:

ne gjithsesi do të shkonim në Greqi dhe Shqipëria ishte ngjitur me Greqinë, kështu që ishte e thjeshtë.

nuk kishim qenë kurrë aty.

për vite të tëra kemi udhëtuar në vendet më lindore të Europës. Kemi qenë në Hungari, Bullgari, Rumani, Republikën Çeke, Kroaci, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Estoni dhe me një udhëtim në Greqi, dukej e thjeshtë të shkonim në Shqipëri.

mënyra e vetme që unë të kuptoj dhe përvetësoj historinë e një vendi është duke shkuar atje. Mund të lexoj çdo libër historie, por nëse nuk e shoh vendin, thjesht nuk më ngjit. Unë gjithashtu mësoj duke lexuar libra të shkruar në atë vend (në Tiranë, gjeta disa përkthime në anglisht të autorit fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare, Ismail Kadare, por nuk munda të thellohem në historinë e Shqipërisë. Po e ndjeja tashmë shumë dhimbjen e vendit. Kam plan ta lexoj tani që kam ardhur në shtëpi).

5 – Pas Luftës së Dytë Botërore, vendi me shumicë myslimane, ishte i vetmi vend në Europë ku, pas mbarimit të luftës kishte më shumë hebrenj se sa para fillimit të saj. Në fillim të luftës kishte rreth 200 hebrenj në vend. Rreth 2 000 hebrenj të tjerë duke iu larguar Hitlerit, u strehuan gjithashtu në vend. Pavarësisht kërcënimeve ekstreme naziste, hebrenjtë u mbajtën dhe u strehuan në familjet myslimane. Shqiptarët refuzuan të dorëzonin listat që iu kërkuan me emrat e tyre. Kjo vjen si pasojë e kodit shqiptar të nderit të quajtur ”Besa” që përfaqëson tolerance fetare dhe trajtim me respekt dhe barazi ndaj të tjerëve. Mysafirët duhen mbrojtur dhe çdo refugjat hebre konsiderohej i tillë. Kjo histori është akoma pjesë e rëndësishme e nderit kombëtar të Shqipërisë.

6 – Ne mundohemi të mos harxhojmë shumë dhe Shqipëria është ideale për këtë. Qëndruam në disa hotele spektakolare dhe hëngrëm ushqim shumë të mirë për më pak dollarë kanadezë nga sa kishim harxhuar në një hotel të lënë në Grand Folks. Gjithashtu, shqiptarët dinë se si të bëjnë pije shumë të mira dhe, ashtu si grekët, duan të ulen në kafenetë e pafund dhe e zgjasin një kafe për disa orë.

7 – Malet pranë qyteteve ishin shumë interesantë për t’u eksploruar.

Ushqimi ishte i freskët dhe plot aromë; mish qengj organik, oktapod, kallamar, mish derri, fruta, perime dhe të preferuarat e mija, pak patate të skuqura në mëngjes … të shkëlqyera.

Ishte kënaqësi të shikoje të gjithë grupet e burrave të moshuar të veshur e të mbërthyer duke luajtur domino dhe shah. Unë nuk e dija që mund të vije një gur dominoje duke shkaktuar aq shumë zhurmë.

Megjithatë, jo çdo gjë ishte e mrekullueshme. Komunistët e donin arkitekturën e shëmtuar. Ata kërkonin të ndërtonin ndërtesa katrore, në blloqe, ngjyrë gri dhe kërcënuese. Dhe akoma më keq, në vitin 1967, kur ata e shpallën Shqipërinë vendin e parë ateist , shkatërruan shumë xhami dhe kisha, pa përmendur vrasjen dhe burgimin e imamëve dhe priftërinjve.

Çfarë ndjeva se mungonte në Shqipëri ishte bukuria spontane e Greqisë. Duket sikur mungonin disa detaje hijeshie… si mënyra se si grekët shpesh përdornin kanaçet e vajit të ullirit si vazo lulesh në shtëpitë borë të bardha. Megjithatë, pamë shumë grafiti agresivë në Athinë dhe Selanik, që në Shqipëri kishte shumë pak.

Shumë nga shtëpitë më të reja që pamë në fshat dukeshin shumë utilitare. Nuk është habi, pasi regjimi i tmerrshëm ishte në fuqi deri në vitin 1991. Ende nuk ka shumë para shtesë për asgjë përveç bazikeve. Ndoshta bukuria vjen vetëm pasi të kapërcehet mbijetesa?

Megjithatë, në një shtet me rreth 3 milionë banorë, me një milion që jetojnë në kryeqytet, ka shumë shpresa. Për shkak se shumë njerëz kanë migruar nga vendet e origjinës në kryeqytet, Tirana ka mbjellë në bulevardet e bukura pemë dhe barishte që përfaqësojnë fshatrat nga i gjithë vendi. Ata po pikturojnë muret e shumë ndërtesave me ngjyra të ndryshme. E gjithë kjo tregon shpresën dhe qëndrueshmërinë e pabesueshme të këtyre njerëzve.

Vendi akoma përkufizohet si mysliman, edhe pse duket të jetë më shumë nga ana kulturore se sa fetare. M’u duk si këndvështrimi që kam unë për rrënjët e mija menonite… unë jam më shumë për ushqimin dhe gjërat menonite se sa për fenë. Nëpër vend, pamë shumë pak myslimanë të veshur me veshje tradicionale të fesë. Pothuajse të gjithë të rinjtë vishen me rroba të stilit perëndimor dhe mbajnë në dorë celularin e pashmangshëm.

Ne shkuam në një tur me ecje në Tiranë dhe guida na tha se gjatë regjistrimit kombëtar, babai i tij e deklaroi veten mysliman. Guida i kishte thënë të atit: ”O ba, e para, ushqimi yt i preferuar është mishi i derrit. Dhe e dyta, kur ka qenë hera e fundit që ke shkuar në xhami?”. Dhe babai kishte rrudhur supet.

Pasi kaluam nëntë ditë duke i dhënë makinës në ”Skoda”-n tonë të vogël me qira, Kevini u bë mjaft ekspert në metodën shqiptare të mos lirimit të rrugës. Koncepti i radhës ose i kthimit as nuk konceptohet në Shqipëri. Ne gjithashtu mësuam se makina kishte përparësi ndaj këmbësorëve. Nuk ka tolerim në kalimin e rrugës në Shqipëri.

Por, përtej kësaj njerëzit ishin shumë të sjellshëm, të ndihmonin shumë dhe ishin të lumtur që ne po na pëlqente vendi i tyre. Ky është një nga ato vende ku e di që çdo lek që harxhon po ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë një vend që të ngrihet në këmbë.

Nëse kam mësuar ndonjë gjë përmes udhëtimeve, është se kryesisht… njerëzit janë të mirë.

Njerëzit gjithandej thjesht duan të jetojnë në mënyrë të ndershme, të mësojnë, të luajnë, të shijojnë komunikimin përmes ushqimit dhe të krijojnë në jetesë të mirë për fëmijët e tyre. Shumica prej nesh thjesht duan të jetojnë në paqe dhe të respektohen.

Bukuria e të shkuarit në vende të reja është mundësia për të zbuluar se si çdo vend i qaset këtyre gjërave në kontekstin e kulturave të tyre të veçanta. Këto interpretime i bëjnë udhëtimet interesante.

Pra, pse në Shqipëri? Pse jo?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat