Pse integrimi është në rrezik

Shqipëria

Pse integrimi është në rrezik

Më: 28 maj 2019 Në ora: 08:49
Fatos Lubonja

Duke marrë shkasë nga zgjedhjet në Parlamentin Evropian, analisti i njohur Fatos Lubonja thotë në News 24, se Shqipëria duhet të ketë edhe një plan B, përveç atij të integrimit, proces i cili rrezikohet për shkak të shkërmoqjes së Unionit në favor të shteteve sovrane.

Lubonja thotë se ky ngadalësim i Evropës i vë shqiptarët përpara rreziqeve të mëdha.

Fatos Lubonja: Ajo që ndodh në Evropë është diçka që ka ndodhur edhe në shtete të veçanta të Perëndimit, si Gjermania, Franca apo Britania që u përsërit edhe në këto zgjedhje europarlamentare. Është një lloj krize e asaj Evrope që është ndërtuar deri më tani. Krizë në kuptimin edhe ekonomik dhe në kuptimin e sigurisë së njerëzve, e të ardhmes.

Mendoj që është një krizë e Evropës së krijuar mbi interesat e bankave, fuqive financiare, e fuqive të forta dhe jo Evropë e qytetarëve, ku humbën një pjesë e mirë e atyre që quhen arritjet sociale dhe tentojnë ta plotësojnë si reagim ato që quhen partitë euroskeptike apo ato që duan të largohen fare nga Evropa.

Pamë një rezistencë siç mund ta quajmë të Evropës së vjetër, që sapo kritikova, Evropa e Merkelit, Macronit apo Berluskonit në Itali apo Partisë Laburiste dhe Konservatore në Britani përpara Brexit dhe partive që kanë lindur së fundmi si partia e Le Pen në Francë, Salvinit në Gjermani. Ajo që reziston më shumë është Gjermania. Por, qoftë partia e Salvinit, qoftë ajo e Le Pen nuk kanë deklaruar shkëputjen nga Evropa, por një gjë është e sigurt që këto parti, duan një Evropë më pak centraliste, më pak të varur nga Brukseli dhe në thelbin e vet kjo ka të bëjë me një ngadalësim, që lidhet edhe me ne, ngadalësim të procesit të hapjes, pra nuk është ajo Evropa entuziaste që dikur zgjerohej dhe shtrihej duke krijuar shpresë.

Nëse do të vërtetohet kjo, pra prirja e tyre për ta “korrigjuar” Evropën jo për të dalë nga Evropa, sepse Le Pen dhe Salvini kanë qenë për ta dalë nga Evropa, tani e kanë “korrigjuar”. Ata do të jenë më të “ngushtë”, për Evropën që nuk hapet kaq kollaj, për Evropën që mbrohet nga emigracioni por jo vetëm, por edhe hapjen nga vendet e tjera si Shqipëria. Për një Evropë ku fuqitë e shteteve bëhen më të rëndësishme dhe kjo do ta ngadalësojë gjithsesi.

Parashikimi im është më pesimist pasi kjo Evropë kështu nuk funksionon dot. Si një perandori që do të shkërmoqet në favor të shteteve sovrane. Në këtë aspekt, politikanët shqiptarë duhet të ishin të përgatitur për një plan B. Gjer tani na ka drejtuar ideja e futjes në Evropë dhe mirë keq të kishim një drejtim. Sikur ata na kanë qeverisur më shumë. Mirë keq, na kanë kontrolluar.

Shqiptarët duhet ta kenë parasysh që ky ngadalësim i Evropës i vë përballë rreziqeve të mëdha, të jashtme apo të brendshme. Nuk e shoh pozitive për Shqipërinë. Mendoj që është më negative kjo nëse do t’i quajmë pozitive negociatat, sepse unë për vete kam qenë që ata duhet të jenë kritikë dhe s’mund të legjitimojnë një regjim si ky i Ramës, duke i hapur negociatat, po kjo është një tjetër temë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat