Mbi 1400 të punësuar përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”

Shqipëria

Mbi 1400 të punësuar përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”

Më: 28 maj 2019 Në ora: 15:28
Ilustrim

Mbi 1400 infermierë apo profesionistë të shkencave teknike mjekësore janë përfshirë në sistemin shëndetësor përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”, ndërsa 1500 infermierë të tjerë të shpallur fitues dhe presin të punësohen.

Kështu deklaroi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në prezantimin e portalit “Mjekë për Shqipërinë”, ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, mjekë, infermierë, studentë të mjekësisë etj.

“Ne vërtetuam që në 17 muaj të nisjes së portalit “Infermierë për Shqipërinë” të mund të garantonim për të gjithë profesionistët e shkencave mjekësore, dhe në fakt nuk janë pak ata që punojnë në sistemin tonë shëndetësor janë 13 mijë infermierë, laborantë, fizioterapistë, logopedistë, teknikë imazherie, të cilët presin më shumë meritokraci, transparencë në të gjithë politikat që ne parashtrojmë për sa i përket punësimit të tyre”.-, nënvizoi Manastirliu.

Sot, vijoi Manastirliu, koha na ka dhënë të drejtë, por edhe ka shpërbërë dyshimet që kishin skeptikët, të cilët pa dyshim ne i mirëkuptojmë se ishte fillimi i një sistemi që për fat të keq në dy dekada e gjysmë nuk kishte frymëzuar besim kur vinte puna tek punësimet me bazë mërite.

“Sot portali “Infermierë për Shqipërinë” ishte dhe mbetet një shembull suksesi, jo thjesht se ka transformuar njëherë e mirë mënyrën sesi rekrutohen profesionistët e shëndetit,por mbi të gjitha sepse ka ndryshuar mendësinë dhe u ka dhënë fund praktikave abuzive, nepotike dhe aspak transparente të punësimeve në qendra shëndetësore dhe spitale”, -nënvizoi Manastirliu.

Ministrja u shpreh se “bëmë edhe një hap të mëtejshëm duke e përfshirë në ndryshimet ligjore të ligjit “Për kujdesin shëndetësor” dhe ndaj sot portali “Infermierë për Shqipërinë” është një instrument i përcaktuar në ligj dhe një garanci më shumë që çdo punësim për personelin e shkencave teknike mjekësore do të jetë përmes këtij portali”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat