Përfaqësuesi special i OSBE-së: Turbulencat politike zgjidhen me dialog

Shqipëria

Përfaqësuesi special i OSBE-së: Turbulencat politike zgjidhen me dialog

Më: 29 maj 2019 Në ora: 10:53
Ruçi priti sot ambasadorin Andreas Nothelle, përfaqësues Special i OSBE, i shoqëruar nga ambasadori Bernd Borchardt

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot ambasadorin Andreas Nothelle, përfaqësues Special i OSBE, i shoqëruar nga ambasadori Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Gjatë takimit u bisedua mbi problemet dhe sfidat e Shqipërisë, e cila do të marrë Presidencën e OSBE në vitin 2020. “Shqipëria po përgatitet seriozisht për të përmbushur me sukses të gjitha detyrat në kuadrin e Presidencës së OSBE-së, për të kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin në të gjitha rajonet ku OSBE është prezent, por edhe në rajonin tonë. Presidenca e OSBE-së është një mundësi që Shqipëria të konfirmohet si një faktor kyç për garantimin e sigurisë dhe paqes në botë dhe si një kampion i vlerave evropiane e perëndimore. Kuvendi i Shqipërisë do të mbështesë maksimalisht Qeverinë dhe institucionet shqiptare të angazhuara në këtë lidership.“, nënvizoi Kryetari i Kuvendit.

Ambasadori Andreas Nothelle, i cili është në Shqipëri për të ndihmuar shërbimet e Kuvendit dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për kryerjen me sukses të misionit të Shqipërisë si Presidente e OSBE-së në vitin 2020, vuri në dukje se “Komuniteti ndërkombëtar ka besim të plotë se Shqipëria do ta përmbushë me sukses të plotë këtë mision të rëndësishëm në nivel global. Asambleja Parlamentare dhe Sekretariati i OSBE-së janë krenarë për Presidencën shqiptare, angazhimin tuaj dhe pritshmëritë e mëdha që kemi nga kjo Presidencë. Shqipëria do të tregojë se si një vend i vogël mund të bëhet një lidership i madh.”, theksoi ai.

Kryetari i Kuvendit Ruçi, Ambasadori Nothelle dhe Ambasadori Borchardt biseduan edhe mbi situatën politike në Shqipëri. Përfaqësuesi Special i OSBE Nothelle nënvizoi se turbulencat politike në Shqipëri mund të zgjidhen vetëm me dialog dhe në mënyrë paqësore, duke përjashtuar kategorikisht përdorimin e dhunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat