Raporti për negociatat, Berisha: Përshëndes vendimin, por Shqipëria s’ka plotësuar asnjë kusht

Shqipëria

Raporti për negociatat, Berisha: Përshëndes vendimin, por Shqipëria s’ka plotësuar asnjë kusht

Më: 29 maj 2019 Në ora: 19:25
Sali Berisha

Ish-Kryeministri Berisha ka përshëndetur vendimin pozitiv të Komisiont Europian për negociatat e Shqipërisë, por e ka lënë zemërthyer.

Përmes një reagimi në Facebook, Berisha shkruan se në bindjen e tij personale, vendi nuk ka plotësuar asnjë prej kushteve të lëna një vit më parë.

“Unë e përshëndes rekomandimin e raportit të Komisionit të BE për hapjen e negociatave, pavarësisht se unë vlerësoj se Shqipëria që nga vjet nuk ka plotësuar asnjërin nga 13 kushtet e caktuara në deklaratën e 27 qershorit të vitit 2016 te ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE”, shkruan Berisha.

Sipas tij, hapja e negociatave “do ndihmonte në mënyrë të padiskutueshme në plotësimin e kritereve dhe kushteve të kërkuara që Shqipëria të përparojë drejt anëtarësimit në BE”.

Me këtë vendim, shkruan Berisha, është hedhur poshtë edhe teoria se protestat e opozitës dhe djegia e mandateve do të ndikonin negativisht.

Por ish-Kryeministri Berisha, mes rreshtash shkruan se është zemërthyer.

“Kjo sepse në vleresimin tim, megjithë rekomandimin për hapjen pa kushte të negociatave, jemi identik si para skenarit të një viti me parë”, pra duke nënvizuar se nuk është vendim përfundimtar.

“Vjet Komisioni, njëlloj si këtë vit rekomandoi hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë. Mirëpo pavarësisht nga kjo, ministrat e jashtëm të BE hodhën poshtë me unanimitet këtë rekomandim dhe, po me unanimitet, caktuan 13 kushte që duhet të plotësonte Shqipëria në mënyrë që Këshilli i Ministrave të vendoste në qershor të vitit 2019 që vendimi të merrej pasi të shqyrtohej plotësimi i kushteve në dhjetor të vitit 2019”, shkruan Berisha.

Në këtë drejtim ai mendon se asnjë prej këtyre 13 kushteve nuk është plotësuar. Berisha thumbon edhe Edi Ramën kur shkruan se këtë herë nuk do hapë shampanjën për negociatat.

“Kësaj radhe Edvin Kristaq Mashtrimi nuk do arrijë të hapë shampanjën e festës për hapjen e negociatave apo të ndajë dekoratat për ata që bënë të mundur hapjen e tyre siç bëri vjet. Kësaj radhe, ai deri në fund të qershorit do jetë flakur aty ku e ka vendin, në koshin e plehrave të historisë”, mbyll reagimin Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat