Rekomandimi i KE-së për hapjen e negociatave, Gjonaj: Dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur

Shqipëria

Rekomandimi i KE-së për hapjen e negociatave, Gjonaj: Dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur

Më: 29 maj 2019 Në ora: 20:09
Etilda Gjonaj

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka përshëndetur rekomandimin për hapjen e negociatave nga ana e Komisionit Europian.

“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë është lajmi më i mirë për shqiptarët. Rezultatet e arritura në reformat e vështira që kemi ndërmarrë, të njohura tashmë nga Komisioni Evropian, janë një dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur të konsolidimit të shtetit ligjor”, tha ministrja Gjonaj.

“Rezultatet pozitive të procesit reformues në drejtësi, si një reformë unikale dhe historike, ka dëshmuar se jemi të vendosur për ti dhënë qytetarëve shqiptarë një drejtësi të pavarur, të pakorruptuar, të drejtë dhe efektive”, shtoi Gjonaj.

“Qëndrueshmëria e zbatimit të Reformës në Drejtësi është vlerësuar nga Komisioni Europian, dhe me ngritjen e institucioneve të tjera të drejtësisë, do të kemi një sistem drejtësie të bazuar tek profesionalizmi, që lufton korrupsionin dhe në të cilin qytetarët do të kenë besim se do të marrin drejtësi”, tha Gjonaj.

“Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e cila na ka udhëhequr dhe do vazhdojë të na udhëheqë në të gjithë veprimtarinë tonë shtetbërës dhe është një nga objektivat prioritare të kësaj Qeverie. Komisioni Europian ka vlerësuar pozitivisht masat që ne kemi ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit, duke njohur avancimin në zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale në Luftën Kundër Korrupsionit dhe Planin e Veprimit 2018-2020, ndryshimet në kuadrin ligjor, si edhe rezultatet konkrete pozitive dhe proaktivitetin e Task Forcës Kundër Korrupsionit dhe fillesat e procedimit të zyrtarëve të lartë. Qeveria, shumica qeverisëse është e angazhuar plotësisht ne vijimin e të gjitha proceseve reformuese që ka ndërmarrë, në interes të shqiptarëve, në rrugëtimin e integrimit europian të Shqipërisë”, përfundoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat