Ekzekutimi i Arben Bilalit në Tiranë, arrestohet i dyshuari për krimin

Shqipëria

Ekzekutimi i Arben Bilalit në Tiranë, arrestohet i dyshuari për krimin

Më: 31 maj 2019 Në ora: 08:44
Arben Bilali

Policia e Tiranës thotë se ka zbardhur vrasjen e 50-vjeçarit Arben Bilali, duke vënë në pranga të dyshuarin e kësaj ngjarje.

Krimi i rëndë ndodhi në 30 janar, ku në rrugën ‘Isuf Banka’’ në Tiranë, u ekzekutua me armë zjarri 50-vjeçari.

Pas hetimeve intensive është arritur të bëhet zbulimi dhe dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje, ku është bërë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar:

Ai është Gjergj Cukali, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,  “Armëmbajtja  pa leje” dhe “Rrëmbim personi”.

Ndaj të dyshuarit të arrestuar mbrëmjen e kësaj të enjteje, hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve luftarake”.

Kujtojmë se Arben Bilali u vra me armë zjarri para banesës së tij, teksa mjeti me të cilën udhëtonte u ndoq nga atentatorët me një makinë tip “Benz”.

Dyshohet se Bilali është vrarë për hakmarrje, për shkak të disa përplasjeve me një bandë në Tiranë. Mirëpo Bilali është viktima e tretë brenda familjes, pasi në vitin 2008, i kanë vrarë vëllanë Leonard Bilali, ish-mundës, pak kohë pasi ishte kthyer nga emigrimi.

Ndërkohë në vitin 1997, 50-vjeçarit i kanë vrarë edhe një vëlla Bujar Bilalin.

Kalvari i vrasjeve në familjen Bilali, dyshohet të ketë lindur për shkak të konflikteve që ka pasur për shkak të detyrës 50-vjeçari i vrarë në muajin janar, pistë për të cilën dhe po hetohet.

Madje pas vrasjes së dy vëllezërve, Arben Bilali thuajse ishte izoluar dhe banesën e kishte rrethuar me kamera sigurie.

Edhe në maj të vitit 2010, Arben Bilalit i është bërë një atentat në zonën e Selitës, prej të cilit mbeti i plagosur. Bilali ishte i martuar me një efektive policie, e cila punon në Drejtorinë e Policisë Tiranë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat