Meta takon Lajçak, nënvizon domosdoshmërinë e zgjidhjes urgjente të krizës

Shqipëria

Meta takon Lajçak, nënvizon domosdoshmërinë e zgjidhjes urgjente të krizës

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 16:36
Miroslav Lajçak dhe Ilir Meta

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti në takim Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Sllovakisë, njëkohësisht Kryesues i rradhës i OSBE-së, z. Miroslav Lajçak.

Në këtë takim kreu i Shtetit evidentoi 'domosdoshmërinë e zgjidhjes urgjente të krizës së thellë kushtetuese, institucionale, politike dhe përfaqësuese ku ndodhet vendit, përmes reflektimit dhe dialogut" thuhet në njoftimin e presidencës.

Shqipëria pritet të marrë kryesinë e OSBE-së vitin e ardhshëm kreu i shtetit theksoi se kjo është një përgjegjësi shumë e madhe që kërkon përkushtim tejet serioz edhe për vetë ndikimin që ka për imazhin e vendit.

“Është e domosdoshme që gjatë kryesisë së OSBE, Shqipëria të reflektojë vlerat e mirëfillta të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të respektimit të lirive themelore, duke mishëruar denjësisht imazhin e Organizatës”, - theksoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen që Kryesia sllovake i ka kushtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së kandidaturës shqiptare për kryesimin e Organizatës gjatë 2020.

“Në këtë sipërmarrje, Shqipëria do të mbështetet në ekspertizën e Sekretariatit të OSBE-së dhe të vendeve partnere, duke siguruar vazhdimësinë e prioriteteve me kryesitë e mëparshme, përfshirë dhe Sllovakinë”, - u shpreh Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit inkurajoi gjithashtu forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Sllovakisë, përfshirë bashkëpunimin edhe më të madh në kuadër të Grupit të Vishegradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat