Basha takohet në Berlin me personalitete të CDU

Shqipëria

Basha takohet në Berlin me personalitete të CDU

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 21:00
Pamje nga takimi

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ndodhet në Berlin, ku mësohet se ka takuar personalitete të CDU-së.

Ai po merr pjesë në aktivitetin “Dialogu për Ballkanin Perëndimor”, bëri të ditur selia blu në një deklaratë për mediat.

Ky aktivitet zhvillohet nga fondacioni “Konrad Adenauer” në bashkëpunim me “Këshillin Ekonomik Gjerman” në Berlin. Temat kryesore janë angazhimi i Gjermanisë ndaj perspektivës Europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, zgjerimi i BE dhe strategjia politike dhe ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën dy ditore janë angazhuar personalitete të larta të politikës, ekonomisë dhe diplomacisë gjermane.

“Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është një ndër kontribuesit kryesorë në panelin e veçantë për të diskutuar së bashku me anëtarë të grupit parlamentar CDU/CSU sfidat dhe mundësitë lidhur me procesin e integrimit te Shqipërisë ne BE si interesi më madhor i çdo qytetari shqiptar.

Në qendër të diskutimeve me personalitetet e larta nga politika dhe industria gjermane është edhe intensifikimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik me Gjermaninë dhe parashtrimi i planit të Partisë Demokratike për zhvillimin ekonomik të vendit e në veçanti thithja e investimeve gjermane, bazuar në programin ekonomik të hartuar me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer dhe ekspertëve ekonomikë të Unionit Kristian-Demokrat Gjerman CDU”, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike.

Sakaq, të ftuar të veçantë të këtij takimi do të jenë Presidenti i Bundestagut gjerman, Dr Wolfgang Schäuble, Kryetarja e CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe Komisioneri i BE për Buxhetin dhe Burimet Njerëzore, Günther Oettinger.

Një ndër referuesit kryesore në këtë konferencë do të jetë Manfred Weber –kandidati i Partisë Popullore Europiane për President të Komisionit Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat