Veliaj: Të gjitha parkingjet pa pagesë për besimtarët myslimanë gjatë faljes së Bajramit

Shqipëria

Veliaj: Të gjitha parkingjet pa pagesë për besimtarët myslimanë gjatë faljes së Bajramit

Më: 4 qershor 2019 Në ora: 08:48
Erion Veliaj

Gjatë faljes së Fiter Bajramit, parkingjet publike të Tiranës do të jenë falas për besimtarët myslimanë. Lajmin e dha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili dje, së bashku me kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, inspektoi punimet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Tirana është shembulli i qytetit që i respekton të gjitha besimet dhe jeton mbi bazat e shëndosha të harmonisë fetare. “Jam shumë i nderuar që shoh bashkë me mikun tim Bujarin, se sa ka ecur puna për Xhaminë e madhe të Tiranës. Jam i bindur se 3-4 muaj punë me kaligrafinë dhe rifiniturat do të mbyllen brenda këtij viti, e do t’i japim Tiranës një tjetër stoli. Brenda një kilometri katror do të kemi shprehjet arkitekturore të të gjitha besimeve të qytetit tonë, siç i ka hije një qyteti që i respekton, i vlerëson të gjithë dhe që jeton mbi bazat e shëndosha të harmonisë fetare, besimit dhe vëllazërisë që kemi me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Në respekt të ditës së shenjtë të Fiter Bajramit, kryebashkiaku Veliaj, i cili garon në zgjedhjet e 30 qershorit për një mandat të dytë në shërbim të qytetarëve të Tiranës, tha se do ta ndërpresë fushatën gjatë gjithë ditës së martë.

“Nesër do ta ndërpresim fushatën zgjedhore sepse besoj që, në respekt të besimtarëve që janë pjesë e fushatës sonë, të shumë kandidatëve për kryetar bashkie që kanë agjëruar, që janë myslimanë dhe e praktikojnë, por edhe në shenjë respekti të të gjithë komunitetit mysliman, besoj se nuk ka vend të flasim për politikë, por të flasim më shumë për vëllazëri dhe për gjërat që na bashkojnë se sa për dallimet që mund të kemi mbi qytetin”, tha ai.

Në vend të politikës, në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe të besimtarëve, nesër ne të gjithë qytetin do të organizohet një fushatë bamirësie, me ushqime, veshmbathje etj. “Kushdo që ka mundësi, sidomos ushqime, batanije, veshmbathje, do duhet t’i sjellë pranë bashkisë apo pranë KMSH-së, dhe pastaj ditën e Bajramit duam që nga qyteti i Tiranës, qytetarët dhe besimtarët këtu, të çojmë këtë dhuratë solidariteti për të gjithë ata që janë në nevojë dhe më pas sipas nevojave, të jemi gjithmonë të gatshëm”, shtoi Veliaj.

Përveç parkingjeve publike, nesër gjatë faljes, besimtarët myslimanë mund të parkojnë falas edhe rreth Unazës së Vogël. “Parkingu te sheshi “Skënderbej” dhe parkingu te Bulevardi i Ri do të jetë falas. Por, duke parë që moti nuk është premtues dhe nëse nuk ka vende në parkingjet nëntokësore, të gjithë besimtarët do të lejohen të parkojnë rreth Unazës së Vogël të Tiranës, për faktin që është një ditë e shenjtë, por edhe mjaftueshëm herët në mëngjes, çka nuk sjellin vështirësi në qytet”, theksoi ai.

Me urimin për gjithë besimtarët, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u shpreh se brenda këtij viti, me përfundimin e punimeve, në kryeqytet do të plotësohet mozaiku i kulteve fetare. Spahiu bëri thirrje për më shumë solidaritet mes njerëzve për të ndihmuar këdo që ka nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat