Përgjimet, Paloka: Krimi kontrollon kryeministrin dhe gjithë qeverinë

Shqipëria

Përgjimet, Paloka: Krimi kontrollon kryeministrin dhe gjithë qeverinë

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 13:32
Edi Paloka

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka reaguar pas publikimit të përgjimeve, ku pretendohet se Astrit Avdylaj flet me kryetarin e Bashkisë Durrës Vangjush Dako për shit-blerje votash. Paloka thotë se përgjimet tregojnë se krimi kontrollon kryeministrin dhe gjithë qeverinë.

“Për të qenë realistë; ka ndodhur dhe më parë që krimi të fusë hundët në zgjedhje. Ka ndodhur dhe që krimi të përdoret nga politikanë të ndryshëm në interes të politikës.

Por që krimi të kontrollojë çdo hallkë, të drejtojë e urdhërojë deri kryeministrin, kjo ndodh vetëm me një qeveri dhe kryeministër si Rama”, shkruan Paloka.

Më tej ai shton se nëse Rama dhe qeveria nuk ikin, shqiptarët kanë të drejtë të ndërmarrin çdo akt për t’i shporrur.

“Këto përgjime në fakt vetëm po demaskojnë publikisht atë që dihej botërisht; që ky kryeministër e kjo qeveri janë tërësisht në shërbim dhe urdhëra të krimit i cili i ka sjellë në pushtet pikërisht për t’i shërbyer.

Ky është Rama që bën të fortin dhe arrogantin me të pamundurit e i lëpihet e shtrihet barkas përpara krimit. Po nuk u larguan , shqiptarët kanë të drejtë të ndërmarrin çdo akt për ti shporrur”, përfundon Paloka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat