Gratë me iniciativë të re, i kthehen kooperativës

Shqipëria

Gratë me iniciativë të re, i kthehen kooperativës

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 13:40

Në Derviçan, fshatin më të madh të minoritetit grek në Dropull një grup grash po hedhin hapa drejt krijimit të një kooperative me në qendër pasionin e tyre për glikotë, erëzat dhe ushqimet tradicionale.

Kostando Ksera, thotë se iniciativa lindi pak vite më parë ndërsa për pasion filluan të shkëmbenin receta midis tyre. Ruajtja e cilësisë dhe gjetja e tregut, janë sfidat që kjo kooperativë do të duhet të përballë në të ardhmen.

“Deri më tani kemi dy vite që merremi me këtë punë dhe ishim në fazën e eksperimentimit. Bëhet fjalë për eksperimentet që i përkasin pjesës së realizmit të recetave, nëse glikotë do të ishin të mira, do të pëlqeheshin, do të mund të mbaheshin pa konservonte, se nuk kanë asgjë brenda. Baza janë glikotë, marmelatat, likeret, bollgurët, trahanaja”, tha Kostando Ksera.

Të gjitha produktet vijnë prej oborreve të shtëpive dhe gratë ia kanë dalë ti ofrojnë tregut rreth 50 produkte të ndryshme, prej të cilave mbi 20 lloje  glikosh e reçeli. Agathia prej 1 jave po merret me përgatitjen e glikosë më të vështirë, asaj të arrës. Ajo thotë se puna është e bukur dhe i lë mundësi të shumta të eksperimentojë me ide të reja.

“Arra është më e vështira për tu përgatitur sepse ka cipën që nuk i del kollaj dhe na vështirëson përgatitje. Arra do një javë që të bëhet gliko”, tha Agathi Baruta

Artikuj të rinj po i shtohen ndërmarrjes dita ditës pasi gratë risollën në jetë bukën e fikut, prevedenë e ftoit, likerin e thanës, bollgurin dhe trahananë e imët të Dropullit. Tregun janë duke e gjetur përmes internetit dhe porositë kryesore bëhen nga Tirana.

Gratë shpresojnë që i gjithë komuniteti aktiv të bëhet një ditë pjesë e kooperativës për të gjeneruar të ardhura duke rikthyer dhe ruajtur njëkohësisht një traditë ushqimi dhe jete shumë pranë natyrës dhe në harmoni me të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat