Tërmetet në Korçë/ Rama me banorët e prekur: Shtëpitë do të rindërtohen brenda verës

Shqipëria

Tërmetet në Korçë/ Rama me banorët e prekur: Shtëpitë do të rindërtohen brenda verës

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 20:34
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot banorët e prekur nga tërmetet e njëpasnjëshme të ditëve të fundit në juglindje të vendit. I shoqëruara nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, Kryeministri pa nga afër gjendjen e banorëve në zonën e Floqit dhe Qafëzesës, në kampet e ngritura nga strukturat e Emergjencave Civile menjëherë pas tërmetit.

“Kjo është një e keqe që do sjellë të mirën e vet, se ne do t’i rindërtojmë të gjitha shtëpitë dhe sigurisht që do jenë edhe më mirë se sa ishin dhe do t’ju kompensojmë me dëmet çfarë ka brenda, që mund të jetë dëmtuar”, – tha Kryeministri Rama në bisedën që pati me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi, duke siguruar se para vjeshtës banorët do jenë në shtëpitë e tyre.

Floqi është fshati më i prekur, ku 75 shtëpi janë të pabanueshme dhe rreth 100 të tjera kanë dëme më të lehta. Për familjet e mbetura pa strehë, përveç çadrave të ngritura nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ofrohet edhe shërbimi i kujdesit shëndetësor 24 orë dhe trajtimi ushqimor.

Sistemimi i qytetarëve nëpër shkolla dhe ambiente më të përshtatshme banimi ka filluar. “Kemi bërë atë bilancin e parë të të gjithë dëmeve dhe ndërkohë kemi bërë gati dhe planin e ndërhyrjes, kështu që besoj që shumë shpejt do fillojmë të bëjmë ndërhyrjet në mënyrë që brenda periudhës së verës të kemi zgjidhur të gjithë problematikën dhe patjetër me fillimin e vjeshtës ju të jeni nëpër shtëpi e të mos rrini më jashtë”, – u tha Kryeministri Rama banorëve të prekur.

Në 1 qershor zona e Korçës u prek nga disa tërmete, që shkaktuan dëmtimin e shumë banesave. Tërmeti më i fortë e kishte epiqendrën në fshatin Floq, të bashkisë Korçë ku mbetën të dëmtuara rreth 184 shtëpi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat