Deputeti i Shijakut mohon Avdylajn/ Ilir Ndraxhi: Nuk e kam takuar. Biseda e vëllait, para kandidimit

Shqipëria

Deputeti i Shijakut mohon Avdylajn/ Ilir Ndraxhi: Nuk e kam takuar. Biseda e vëllait, para kandidimit

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 14:47
Ilir Ndraxhi

Një prej përgjimeve të publikuara nga gazeta BILD është edhe ai mes Astrit Avdylajt dhe vëllait të deputetit socialist të Shijakut, Ilir Ndraxhi. Në një bisedë telefonike me Top-Channel deputeti Ilir Ndraxhi mohon në mënyrë kategorike çdo lidhje me Astrit Avdylajn.

“Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e vitit 2017 kam bërë fushatë me shtabin tim elektoral pa asnjë ndikim e mbështetje nga Avdylajt. Nuk kam patur asnjë kontakt me Astritin. Jam krenar për punën që kam bërë si shofer nga viti 1991 deri në 1995 e më pas jam marrë me një biznes familjar nisur nga babai im që në vitin 1992”, thotë ai.

Ilir Ndraxhi thotë se u përfshi në politikë pas kërkesave nga strukturat e partisë në Shijak e Durrës, kërkesa të cilat datojnë që prej vitit 2013. Në 2017 thotë ai, pranoi propozimin e strukturave të partisë dhe qytetarëve shijakas.

Por sa vendimtar ishte roli i Astrit Avdylit për ta bindur dhe mbështetur atë si kandidat për deputet. Ilir Ndraxhi thotë:

“Për mua është pamundur dhe absurde të mendoj që kreu i PS, Edi Rama dhe i deleguari PS për qarkun Durrës Vangjush Dako të ndikoheshin nga Astrit Avdyli apo persona të tjerë që unë të kandidoja për deputet duke u futur në listën e PS.”

Deputeti Ilir Ndraxhi jep këtë koment në lidhje me bisedën telefonike mes të vëllait dhe Astrit Avdylit.

“Biseda me vëllain tim ka ndodhur në kohën kur unë lakohesha si kandidat i mundshëm i PS në Shijak. Atë kohë po e mendoja realisht si të menaxhoja biznesin që kisha dhe angazhimin politik që më kërkohej të ndërmerrja si kandidat për deputet. Atë kohë vëllai im ka marrë telefonata jo vetëm nga Astriti, por edhe nga shumë të tjerë që mbështesnin kandidimin tim për deputet. Gjatë fushatës elektorale që kam zhvilluar në mënyrë absolute nuk kam patur asnjë kontakt me Avdylajt.”

Deputeti Ndraxhi thotë se as ai dhe as i vëllai nuk janë thirrur në prokurori për të dëshmuar dhe sa janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë nëse do tu kërkohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat