Soreca në median gjermane: Shqipëria ka bërë progres, koha që BE të marrë vendim

Shqipëria

Soreca në median gjermane: Shqipëria ka bërë progres, koha që BE të marrë vendim

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 19:15
Luigi Soreca

“Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në dy vitet e fundit, kryesisht në fushën e reformës gjyqësore, e cila është shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe për rivendosjen e besimit në sistemin gjyqësor”, deklaron në një intervistë për “Die Welt”, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Në intervistën për median gjermane, Soreca shpjegon se çfarë është procesi i anëtarësimit në BE, trendet pozitive në Shqipëri dhe rëndësia e prezencës gjermane në vend.

Ai deklaron se hapja e negociatave nuk nënkupton pranim në BE, por thjesht vënia në dukje e faktit se Shqipëria ka bërë progres në fusha të caktuara.

Intervista e plotë e ambasadorit Soreca:

Në qershor, BE do të marrë një vendim nëse do të fillojë apo jo bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë. Si do ta përshkruanit këtë moment në kohë?

Ne jemi në udhëkryq sepse në fund të majit, Komisioni Europian do të bëjë rekomandimin në bazë të kontributeve të paraqitura në zyrën time nga qeveria, shoqëria civile si dhe shtetet anëtare. Dhe mbi këtë bazë, Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë një vendim.

Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në dy vitet e fundit, kryesisht në fushën e reformës në drejtësi, e cila është shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe për të kthyer besimin në sistemin gjyqësor. Shqiptarët e mbështetën fort reformën kur u miratua në vitin 2016 dhe ka pasur shumë progres. Ngritja e institucioneve gjyqësore dhjetorin e kaluar e parashikuar në Kushtetutë është një lajm i mirë, pasi tani jemi para faktit kur vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese po mbushen. Procesi i verifikimit po vazhdon, deri më tani janë marrë rreth 130 vendime me një mesatare prej 45% magjistratësh të shkarkuar. Kjo shifër vërteton rëndësinë e çështjes. Nëse një nivel kaq i lartë magjistratësh nuk e kalon procesin e verifikimit dhe rrjedhimisht dalin nga sistemi, ky rezultat konfirmon se problemi ishte i vërtetë. Ka pasur gjithashtu përparim të dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar.

Ne po flasim për progres, jo për zgjidhjen e të gjitha problemeve në këtë fazë. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim në BE. Kjo do të thotë se vendi ka arritur një nivel të mjaftueshëm progresi në kërkesat e Komisionit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian dhe ka tendenca pozitive në vend. Është shumë e rëndësishme të shmanget konfuzioni që vendi duhet të jetë në nivelin e pranimit të Bashkimit Europian. Kjo do të vijë në fund të procesit, i cili ka qenë i njëjtë për të gjitha vendet e tjera që janë bërë anëtare. Pra, tani duhet të vlerësojmë nëse ka përparim të mjaftueshëm – mjafton të tregohet një angazhim i vërtetë për ta bërë progresin të qëndrueshëm.

Tani është koha që Bashkimi Europian të marrë një vendim për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se vendimi në qershor është i një rëndësie kritike për të ardhmen e vendit. Është një vendim i rëndësishëm dhe shumë domethënës për popullin shqiptar, i cili ka treguar nivelin më të lartë të interesit për BE-në në gjithë Europën Juglindore.

Kemi folur pak në lidhje me progresit e bëra në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Cilat janë reformat e tjera që do të theksonit?

Sigurisht, pjesa e administratës publike. Vendi vjen nga një e kaluar e vështirë dhe administrata publike është shtylla kurrizore e shtetit. Është karburanti për çdo plan të qeverisë. Disa vite më parë, filloi një mbështetje e madhe buxhetore për reformimin e administratës publike, përfshirë reformimin e shërbimit civil, për të depolitizuar rekrutimin e punonjësve të rinj në shërbimin civil.

Dy vite më parë, ka pasur gjithashtu një reformë të rëndësishme territoriale që reduktoi numrin e bashkive të vendit në 61. Ka ende punë për të bërë në aspektin për të garantuar që bashkitë e reja, që mbulojnë territore më të mëdha, të kenë burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare. Kjo do të marrë pak kohë, por shohim një trend progresi.

Një ndryshim tjetër shumë i rëndësishëm, që unë mendoj se me shumë mundësi është reforma më e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë është reforma mbi pronën. Çfarë do të thotë? E drejta mbi pronën do të thotë një copë toke, një pronë dhe një regjistrim. Sepse nacionalizimi i pronave të bërë gjatë komunizmit që u ndoq më pas nga një tranzicion i gjatë dhe i vështirë, solli që shumë autoritete publike të nxjerrin certifikata të ndryshme pronësie për të njëjtën copë toke. Një pjesë e punës ka filluar të bëhet por është e qartë që kjo është një reformë shumë e madhe, e cila do të fillojë tani me mbështetje të Bashkimit Europian. Ne do të ndihmojmë Shqipërinë të vendosë në hartë çdo hektar të vendit në një hartë të re të regjistrimit të pronës. Kjo mes gjërash të tjera, do të lehtësojë veprimet ligjore mbi pronat dhe investimet e huaja. Nëse flet me investitorët e huaj, ata janë ende të shqetësuar për të investuar para në Shqipëri për shkak të mungesës së kësaj reforme shumë të pritur. Reforma mund të dojë pak kohë, por në afatmesëm kjo do të bëhet reforma më e rëndësishme që mund të dëshirojmë të gjithë ne për vendin.

Çfarë mesazhi do i dërgonit investitorëve të huaj në Shqipëri?

E di që investitorët e huaj janë të shqetësuar për momentin. Ka pasur një sondazh që u publikuar disa ditë më parë nga një shoqatë gjermane, që thekson se investitorët gjermanë janë të shqetësuar me trendin e politikave si dhe për kohën që duhet për të ndërmarrë reformën mbi të drejtën e pronës. Sigurisht, e kuptoj që për investitorët e huaj është shumë e rëndësishme që të kenë garanci ligjore. Por shoh vullnet politik të konsiderueshëm nga mazhoranca aktuale për të zgjidhur këtë problem.

Mendoj se është e rëndësishme që të vlerësohen edhe potencialet e vendit. Madje edhe në këtë situatë politikisht të vështirë, ritmi i rritjes ekonomike është vërtet i fortë, rreth katër për qind, relativisht e lartë krahasuar me disa vende të tjera të Europës. Rritja ekonomike ka qëndruar në këto nivele gjatë viteve të fundit dhe parashikimi është pak a shumë i njëjtë. Janë investime interesante në infrastrukturë, që janë të rëndësishme për investitorët e huaj. Kështu, do të thosha se tani për tani korniza ligjore po merr formë, por mendoj që investitorët duhet të hedhin sytë drejt Shqipërisë me interesin si një treg potencial.

Prania e Gjermanisë është thelbësore për Shqipërinë që të përqendrojë përpjekjet e saj në rrugën e integrimit drejt Bashkimit European, të cilit i përket në këndvështrimin historik dhe gjeografik.

Cilat janë investimet e BE-së në Shqipëri që do të dëshironit t’i vinit në pah?

Janë dy fusha kryesore që do t’i theksoja më së shumti; bujqësia dhe turizmi. Bujqësia, në momentin që flasim, përbën 25 për qind të ekonomisë shqiptare. Më në fund, vitin e kaluar, pas disa vitesh përgatitjesh, Shqipëria u bë pjesë e programit të BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin rural, IPARD, që u mundëson vendeve kandidate për anëtarësim në BE to përfitojnë financime për zbatimin e projekteve të zhvillimit në bujqësi. Tetorin e kaluar, bashkë me Kryeministrin Edi Rama, ne shpallim programin për zhvillimin e bujqësisë IPARD me vlerë 92 milionë euro. BE-ja do të kontribuojë me një fond prej 74 milionë eurosh, ndërsa pjesa tjetër e financimit do të plotësohet nga qeveria shqiptare. Pas thirrjeve të para për projekte në bazë të këtij programi, 300 fermerë kanë aplikuar për të investuar në zhvillimin e bizneseve të tyre në bujqësi. Ky është zhvillim tepër i rëndësishëm. Objektivi është modernizimi i sistemit të vjetëruar aktual.

Fusha e dytë e investimeve është turizmi. Në këndvështrimin tim, turizmi është potenciali më i madh që ka ky vend. Nëse e keni vizituar Shqipërinë, mund të kuptoni si zonat bregdetare, ashtu edhe malore kanë potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit. Më 3 maj, së bashku me Kryeministrin dhe Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ne prezantuam programin e investimeve në turizëm përmes një shume prej 40 milionë eurosh, që synon mbështetjen dhe nxitjen e iniciativave vendase në fushën e turizmit duke shfrytëzuar trashëgiminë e pasur kulturore të vendit.

Cili është mesazhi juaj i fundit për audiencën gjermane lidhur me Shqipërinë?

Gjermania ka qenë mbështetëse e fortë e Shqipërisë. Gjermania dhe Bashkimi Europian janë donatorët më të mëdhenj në vend. Gjermania është një partner i madh dhe tepër i rëndësishëm i Shqipërisë brenda BE-së. Investitorët gjermanë gjithashtu duhet të vazhdojnë ta shikojnë me interes Shqipërinë. Prania e Gjermanisë është thelbësore për Shqipërinë që të përqendrojë përpjekjet e saj në rrugën e integrimit drejt Bashkimit European, të cilit i përket në këndvështrimin historik dhe gjeografik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat