Cakaj në Holandë: Progresi i Shqipërisë i padiskutueshëm

Shqipëria

Cakaj në Holandë: Progresi i Shqipërisë i padiskutueshëm

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 20:16
Ministri në detyrë Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Holandë, ku u prit në takim nga homologu i tij holandez Stef Blok.

Në takim u diskutuan marrëdhëniet bilaterale, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe, në kuadër të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe pritshmëritë për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Ministri në detyrë Cakaj dhe homologu i tij holandez nënvizuan arritjet e reformave të Shqipërisë veçanërisht në fushën e drejtësisë. Progresi i Shqipërisë është i padiskutueshëm edhe sipas vlerësimeve të palës holandeze.

Po ashtu, në mënyrë që të adresohen shqetësimet e ndërsjella, përfshirë shqetësimet në fushën e migracionit të parregullt, u vlerësua jashtëzakonisht bashkëpunimi bilateral midis mekanizmave të rendit dhe sigurisë, si dhe u dakordua për bashkëpunim të mëtejshëm strategjik në të ardhmen.

Ministri Cakaj theksoi nevojën për një vendim pozitiv të Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, i cili do të ishte një mesazh inkurajues për Shqipërinë, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën Evropiane të tij. Për më shumë, një proces i tillë do të kontribuonte në thellimin e momentumit të reformave të nisura nga Shqipëria në përgjithësi.

Nëse diçka s’mund të vihet në pikëpyetje është pikërisht përmbushja e të gjitha kushteve teknike për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE nga ana e Shqipërisë. Një vlerësim i tillë është artikuluar nga vetë Komisioni Evropian në raportin e fundit për Shqipërinë. Më tej, në pajtim të plotë Ministri Cakaj dhe Blok, kanë përqafuar konsideratat e Komisionit për rëndësinë strategjike të procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimore në përgjithësi.

Shqipëria dhe Holanda do të vazhdojnë bashkëpunimin strategjik dhe, natyrisht, bashkëpunimin intensiv në fushën e procesit të integrimit evropian. Holanda njeh përparimin rrënjësor dhe ndryshimet cilësore që po karakterizojnë Shqipërinë në vijimësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat