Takimet në Bruksel, Cakaj: Të rëndësishme për hapjen e negociatave

Shqipëria

Takimet në Bruksel, Cakaj: Të rëndësishme për hapjen e negociatave

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 17:29
Pamje nga takimi

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj i konsideroi të rëndësishme dy takimet e zhvilluara sot në Bruksel me komisionerin e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe me përfaqësuesen e lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, nënkryetare e Komisionit Europian, Federica Mogherini.

“Mbledhja me Komisionerin Hahn edhe njëherë vuri në dukje progresin përmbajtësor në pesë prioritetet kyçe me theks të posaçëm Reformën në Drejtësi. Komisioni Europian ka evidentuar shkallën e transformimeve të nevojshme në Shqipëri për të merituar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Vendimi pozitiv i Këshillit është thelbësor për ta ruajtur besueshmërine e politikave të zgjerimit të BE-së në përgjithësi”,- thekson Cakaj.

Ministri Cakaj u shpreh se “mbledhja me Përfaqësuesen e Lartë Mogherini edhe njëherë qartazi shpërfaqi rëndësinë e hapjes të negociatave për Shqipërinë në qershor. Ky është një interes strategjik i ndërsjelltë dhe një çështje thelbësore në shërbim të dinamikës të reformave të Shqipërisë në përgjithësi. Hapja e negociatave për Shqipërinë duhet të ndodhë menjëherë sepse një vendim i tillë është tashmë i vonuar: procesi i bisedimeve për anëtarësim në BE duhet të kishte filluar që në qershor 2018”. ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat