“Jemi përgatitur të reagojmë”, Policia e Shtetit deklaratë para protestës, mesazh qytetarëve: Kemi informacione se…

Shqipëria

“Jemi përgatitur të reagojmë”, Policia e Shtetit deklaratë para protestës, mesazh qytetarëve: Kemi informacione se…

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 13:33
Aida Hajnaj

Thirrje të fortë ka bërë Policia e Shtetit për organizatorët e protestës së opozitës, duke njoftuar përmes një deklarate për mediat, se “Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune”.

Sipas zv.drejtores se Policise se Shtetit, Aida Hajnaj, “Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit”.

Policia u bën thirrje “organizatorëve të largojnë nga turmat njerëz me maska apo mjetet të forta në duar”.

DEKLARATA E PLOTE

Sot disa forca politike kanë thirrur një tubim proteste.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar lirinë demokratike të tubimit dhe njëkohësisht ka kërkuar bashkëpunimin e organizatorëve për të shmangur dhunën gjatë saj.

Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit.

Po ashtu, nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë.

Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësorë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

I bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë organizatorëve të marrin të gjithë përgjegjësinë e tyre për moslejimin e devijimit të protestës.

Po ashtu ri-kujtojmë se përdorimi i mjeteve piroteknike është jo vetëm i paligjshëm, po edhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve.

Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune.

Po ashtu u kërkojmë qytetarëve të Tiranës, që nuk janë të interesuar  për protestën, të  shmangin lëvizjen në perimetrin e protestës së sotme, e cila do të jetë nën monitorimin  e plotë të Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat