Digjet afati për miratimin e projektligjit që do të ndalonte ofertat e pakërkuara

Shqipëria

Digjet afati për miratimin e projektligjit që do të ndalonte ofertat e pakërkuara

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 15:20
Foto

Parlamenti ka djegur përfundimisht afatin për miratimin e projektligjit që do të ndalonte ofertat e pakërkuara të koncesioneve duke filluar nga data 1 korrik e këtij viti.

Drafti i cili është miratuar në komisionet parlamentare prej më shumë se katër muajsh duhet të miratohej edhe në seancë plenare për të hyrë në fuqi. Por kur kanë mbetur edhe vetëm dy seanca deri në mbylljen e këtij sesioni parlamentar, miratimi i projektligjit është lënë jashtë kalendarit të punimeve të kuvendit duke djegur kështu përfundimisht hyrjen e tij në fuqi në datën 1 korrik.

Ndalimi i koncesioneve me oferta të pakërkuara kërkohet publikisht prej më shumë se një viti nga fondi monetar ndërkombëtar, i cili i ka etiketuar ato si një risk të madh destabilizimin e financave të shtetit. Pas presionit konstant të FMN, në janar të këtij viti qeveria miratoi projektligjin dhe e dërgoi në kuvend.

Drafti u votua sipas kalendarit të parashikuar në të dy komisionet përgjegjëse si atë të ekonomisë ashtu dhe në komisionin e veprimtarive prodhuese. Por menjëhërë pas kësaj u pezullua duke u lënë jashtë axhendës së parlamentit deri në djegien e afatit 1 korrik.

Zyrtarisht mazhoranca nuk ka dhënë asnjë arsye se pse e ka pezulluar ligjin e kërkuar me ngulm nga fondi monetar ndërkombëtar. Por burime brenda mazhorancës thonë se djegia e afatit të ligjit nuk është i rastësishëm.

Mos hyrja në fuqi e ligjit në datën 1 korrik ashtu sic ishte parashikuar i jep qeverinë të drejtës të vazhdojë të japë koncesione me oferta të pakërkuara tek privatët, ku një nga projektet më të përfolura është edhe ai i rrugës Tiranë- Durrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat