Librat e dëmtuar nuk do paguhen

Shqipëria

Librat e dëmtuar nuk do paguhen

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 17:38
Tekste falas edhe për nxënësit e klasave të 5-ta

Rreth 190 mijë nxënës në të gjithë vendin, nga klasa e parë deri në të 4, kanë nisur dorëzimin e librave shkollorë që morën falas në fillim të vitit. Shumë prej tyre janë kujdesur të mos i dëmtojnë.

“Në shkollë punonim edhe me laps, edhe me stilolaps. Në fletore me stilolaps, në libër me laps”, thotë një nxënës.

“E kam fshirë pjesën më të madhe, deri tek faqja 123, pastaj do vazhdoj me këto të tjerat. Gjatë gjithë kohës nuk kemi përdorur stilolaps, vetëm laps. Edhe fletët e punës duhen fshirë“, shton një tjetër.

Frika se mund të paguajnë për librat e dëmtuar ka bërë që prindërit të fshijnë vetë shënimet me laps.

“Kemi punuar dy ditë pa pushim për të fshirë, gjë që nuk ishte normale, sepse tani të fshish punën që fëmija ka bërë gjatë gjithë vitit më duket një shpërdorim i punës së fëmijës dhe mundit të tij. Në fill viti kur i morëm librat na thanë do paguhet 10-fish, nuk e di si është e vërteta. Ndoshta nuk janë fshirë normalisht, por më janë bërë duart kallo nga të fshirat”.

Në një intervistë për Televizionin Klan, drejtoresha e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Zamira Gjini, thotë se nuk do të ketë penalizime për nxënësit. Do të jetë një komision që do të bëjë vlerësimin nëse librat do të përdoren vitin pasardhës, apo do të blihen të reja nga vete shkolla.

“Ajo pjesë që nuk do të përdoret vitet e ardhshme do të blihen nga shteti dhe do të jepet përsëri në përdorim falas. Nuk ka penalizim për fëmijët që kanë bërë shënime. Mësuesit kanë një regjistër që shënojnë nëse është i përdorshëm apo jo dhe pse jo”.

Gjini thotë se këtë vit shkollor edhe klasat e 5-ta do të përfitojnë libra falas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat