Nuk e gjykon Kushtetuesja dekretin e Metës për shtyrjen e zgjedhjeve, por gjykata Administrative

Shqipëria

Nuk e gjykon Kushtetuesja dekretin e Metës për shtyrjen e zgjedhjeve, por gjykata Administrative

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 20:29
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta firmosi këtë të hënë dekretin mbi mosmbajtjen e zgjedhjeve locale më 30 qershor, ndërsa socialistët nisën të mbledhin firmat për shkarkimin e tij.

E teksa politika është përfshirë edhe më thellë në krizë, pyetja se kush e shqyrton dekretin e Presidentit duket se e ka një përgjigje, dhe ajo nuk është Gjykata Kushtetuese, e cila prej mëse një viti nuk është funksionale.

Mbi rastin e krijuar sot, ka patur një precedent të ngjashëm. Rasti i ka ndodhur ish Presidentit Bujar Nishani, i cili shtyu zgjedhjet e përgjithshme të 2017 me një javë nga 18 qershori në 25 qershor.

Në atë kohë partia “Forca Rinia” vendosi që ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Presidentit Nishani. Në përgjigje, Kushtetuesja u shpreh se kompetenca për të shqyrtuar shtyrjen e zgjedhjeve nuk i takonte asaj, por gjykatës Administrative.

“Në rastin konkret, Kolegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative dhe për këtë arsye, kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate me objektin sipas kërkesës”.-shprehej në arsyetimin e saj Gjykata Kushtetuese.

Njëjtë ishte logjika se edhe për pretendimet se shtyrja e datës së zgjedhjev mund të bjerë ndesh me kodin zgjedhor, Kushtetuesja shprehej në argumentimin e saj se I takon Gjykatës Administrative që të japë verdikt.

“Përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative apo, sipas rastit, të Kolegjit Zgjedhor dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet nga kjo Gjykatë”.

Me këto argumenta, Gjykata Kushtetuese në vitin 2017 hoqi dorë nga shqyrtimi ankimimit, çka mund të shërbejë si një precedent edhe për ditën e sotme. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë ligjërisht me aktin e ndërmarrë nga Presidenti që ditën e shtunë, ku u njoftua vendimi për ç’dekretimin e datës 30 qershor, si dita kur do të mbahen zgjedhje lokale. Ndërkohë politikishtm, maxhoranca duket e bindur t’I shkojë deri në fund idesë për shkarkimin e Presidentit Meta, akt i cili kërkon një Gjykatë Kushtetuese e cila momentalisht nuk ekziston.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat