Zbulohen shifrat për shkollimin e fëmijëve, Basha paguan 20 mijë euro, Ahmetaj, Gjiknuri e Bushati 11 mijë

Shqipëria

Zbulohen shifrat për shkollimin e fëmijëve, Basha paguan 20 mijë euro, Ahmetaj, Gjiknuri e Bushati 11 mijë

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 10:30
Foto

Të gjithë deputetët dhe ish-deputetët, ministrat dhe ish-ministrat i shkollojnë fëmijët e tyre në institucione private me emërues të përbashkët faturat e larta, të cilat në disa raste janë të barabarta me pagën e tyre vjetore.

Të ndjekësh arsimin nëntë vjeçar dhe atë të mesëm në shkollat publike është realiteti i shumë fëmijëve në vend, por kjo nuk është zgjedhje për fëmijët e deputetëve dhe ministrave shqiptarë.

Një investigim i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore zbulon se pothuajse të gjithë deputetët shqiptarë dhe ish-deputetët, të cilët kanë fëmijë nga mosha 8 deri në 18 vjeç, kanë zgjedhur për ta arsimin privat.

Po kështu, të katërt ministrat aktualë dhe zëvendëskryeministri, që rezultojnë të kenë gjithashtu fëmijë të kësaj moshe, kanë zgjedhur arsimin privat.

Investigimi mori në shqyrtim deputetët, të cilët ishin pjesë e parlamentit shqiptar në janar 2019, po kështu ish-ministrat dhe ministrat e qeverisë që nga shtatori i vitit 2017.

Zgjedhja e arsimit privat në masë për fëmijët nga ana e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve ngre pikëpyetje serioze mbi nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm sot në Shqipëri.

Të zgjedhur me detyrimin e përmirësimit të këtij sistemi atanuk e parapëlqejnë atë për fëmijët e tyre duke bërë të dyshosh se ky arsim është i papërshtatshëm dhe për fëmijët e tjerë të Shqipërisë.

Shpesh pagesat e shkollave të zgjedhura nga ligjvënësit, ministrat dhe ish-ministrat për fëmijët janë pothuajse të njëjta me pagën e tyre vjetore duke ngritur pikëpyetje të rëndësishme mbi burimin e të ardhurave.

Investigimi nxjerr në pah edhe faktin se pagesat vjetore për shkollimin e fëmijëve nuk deklarohen si zë i veçantë në të ardhurat dhe shpenzimet vjetore që të zgjedhurit dhe zyrtarët e lartë dorëzojnë çdo vit pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), duke e bërë situatën dhe më pak transparente.

Fatura të larta dhe mungesë transparence

 Shkollat private për ciklin e ulët dhe atë të mesëm janë të pranishme prej dy dekadash në Shqipëri duke ofruar aktualisht një larmi të madhe rrymash dhe ndikimesh në edukim.

Investigimi nxjerr në pah se deputetët dhe ministrat shqiptarë janë gjithashtu të larmishëm përsa i përket zgjedhjes për edukimin e pasardhësve. Shkollat me influencë turke, greke, franceze, amerikane dhe britanike janë të gjitha të pranuara për shkollimin e fëmijëve të tyre.

Emëruesi i përbashkët është fatura e lartë, të cilën ata paguajnë, e cila, sipas investigimit, në të gjitha rastet është mbi tre mijë euro në vit për çdo fëmijë.

Por fatura vjetore në shumë raste është disa herë më e lartë se kaq.

Një rast i spikatur është ai i kryetarit të Partisë Demokratikë, ish-deputetit të PD-së, Lulzim Basha, i cili i shkollon të dyja vajzat e tij në një institucion privat, ku pagesa vjetore për një fëmijë është 20 mijë euro në vit.

Ish-ministrat shqiptarë (tashmë deputetë), si Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, mësohet se i shkollojnë fëmijët e tyre në institucione, ku viti nuk kushton më pak se 11 mijë euro.

Në këtë nivel pagese janë edhe ish-deputetë të opozitës si Aldo Bumçi.Ndërkaq, ndonëse pa mbushur ende moshën 18 vjeç, politikanë shqiptarë, si Monika Kryemadhi, kanë parapëlqyer t`i shkollojnë fëmijët në kolegje të kushtueshme jashtë Shqipërisë.

Në shkolla, ku viti kushton nga tre deri në shtatë mijë euro, shkollojnë fëmijët e tyre ministra si Blendi Klosi, Belinda Balluku, Anila Denaj, Ogerta Manastirliu. Po kështu, edhe deputetët apo ish-deputetët Ulsi Manja, Helidon Bushati, Niko Peleshi, Ilir Pendavinji, Albana Vokshi, Blerina Gjylameti, Luçiano Boçi, Grida Duma, Dhurata Çupi e shumë të tjerë.

Por, pavarësisht kësaj, nga kërkimet e Qendrës rezultoi se asnjë nga të sipërpërmendurit apo të zgjedhurit e tjerë nuk jep informacion për deklarimin vjetor të pasurisë për detyrimet e larta që paguajnë për shkollën e fëmijëve.

Deputeti socialist, Niko Peleshi, i cili i shkollon të tre fëmijët e tij në një institucion privat që kushton rreth gjashtë mijë euro në vit për një fëmijë, thekson për Qendrën se kjo zgjedhje ka ardhur, pasi ai dhe bashkëshortja janë të angazhuar në punë deri në mbrëmje.

“Shkolla jopublike që kemi zgjedhur kompenson pamundësinë tonë për të ndjekur ecurinë e fëmijëve në mënyrë të përditshme”, – tha ai.

Sipas tij, shkollat publike dhe ato jopublike kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre dhe bashkekzistenca e të dy sistemeve ndihmon në përmirësimin e vazhdueshëm të nivelit arsimor.

Reformat, të pamenduara

Në realitet, të zgjedhurit politikë të shqiptarëve nuk bashkekzistojnë me shkollën publike, ajo është zgjedhje krejtësisht e përjashtuar, kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Ndërkohë, për shumë shqiptarë shkolla publike është e vetmja zgjidhje e mundshme për fëmijët e tyre.

Sipas gazetares së specializuar në çështje të arsimit, Ermelinda Hoxhaj, e vetmja arsye që i mban larg qytetarët e thjeshtë për të zgjedhur shkollën private është pamundësia ekonomike.

“Fatkeqësisht, shkollat private ofrojmë siguri; klasa të vogla; ambiente brenda standardeve; kohë qëndrimi të përputhshme me orarin e përfundimit të punës së prindërve; ushqim; bërjen e detyrave gjatë ndjekjes së kurseve jashtë shkollore”, – thekson Hoxhaj.

Sipas saj, reformat e fundit, të cilat janë përpjekur të ndërmerren në ciklin e ulët dhe të mesëm të arsimit në vend, kanë qenë të shpejta dhe pamenduara, duke krijuar një situatë kaotike.

“Tekstet kanë ende probleme të shumta dhe ndryshimet e reja kanë sjellë një presion të jashtëzakonshëm mbi mësuesin e ciklit të ulët dhe të mesëm, ndërkohë që shumë drejtori përgjegjëse për këtë arsim janë shkrirë”, – thekson Hoxhaj, duke parashikuar përkeqësimin e situatës në të ardhmen e afërt.

Në një kohë kur shkollat publike, në të cilat marrin njohuritë qindra-mijëra fëmijë shqiptarë, po vuajnë investimet e pakta dhe mungesën e sigurisë dhe të cilësisë në arsimim, ata që kanë detyrimin dhe mundësinë për të ndryshuar situatën duket se nuk po ndihmojnë sa duhet.

Në vend të këmbënguljes për t`i bërë shkollat publike të denja për fëmijët e tyre dhe të Shqipërisë, duket se ata zgjedhin të sigurojnë të parët në oaze që shpesh janë të paarritshme nga të dytët.

Marrë nga Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat