Rikthehet Kala Festival, Klosi: 10 mijë të rinj do të punësohen këto 2 javë

Shqipëria

Rikthehet Kala Festival, Klosi: 10 mijë të rinj do të punësohen këto 2 javë

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 17:31
Klosi

Kala Festival rikthehet për të dytin vit në Dhërmi. Këtë herë numri i vizitorëve do të jetë në 7 mijë, ndërsa punësimi i të rinjve për dy javë e festivalit sipas ministrit Klosi do të jetë rreth 10 mijë të punësuar.

Të mërkurën do të jetë nata e para e Kala Festival. Eventi ndërkombëtar muzikor rikthehet për të dytin vit radhazi në Dhërmi. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha se numri i pjesëmarrësve në këtë festival pritet të arrijë në 7 mijë.

Klosi: Ajo çfarë ne shohim me shumë interes janë përshtypjet fantastike që kanë pasur pushuesit e një viti më parë dhe kjo ka bërë të mundur që këtë vit ne të kemi 5 mijë të huaj, që kanë prerë tashmë biletat për të qenë dy javë në Dhërmi dhe qindra vizitorë të vendit, duke e çuar në 7 mijë numrin pjesëmarrësve në festivalin e këtij viti.

Përtej promovimit të Shqipërisë turistike, një nga qëllimet e këtij festivali të njohur në të gjithë botën, ajo që duhet vlerësuar, sipas ministrit, është sidomos kontributi financiar që ky festival sjell për komunitetin e zonës.

Klosi: Ajo që është më interesante është që me dhjetëra të rinj do të punësohen gjatë këtyre dy javëve, po bëhen planet që vitin që vjen të arrijmë të organizojmë 4 festivale në Dhërmi, gjatë sezonit 2020. Kjo tregon trendin e turizmit shqiptar, i cili po disafishohet në të gjitha aspektet. Shpresojmë shumë që vitin e ardhshëm Shqipëria të shikohet si destinacion për turizmin rinor dhe të muzikës.

Alan Crofton, menaxheri i Kala Festival vlerësoi organizimin dhe pritjen e një viti më parë në Shqipëri, duke theksuar se është i lumtur që rikthehet dhe që këtë vit pjesëmarrja do të jetë disa herë më e madhe se vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat