Çfarë do të ndodhë nesër në Kuvend??? Ja çfarë pritet…

Shqipëria

Çfarë do të ndodhë nesër në Kuvend??? Ja çfarë pritet…

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 09:52
Kuvendi i Shqipërisë

Konferenca e Kryetarëve miratoi dje kërkesën e Partisë Socialiste për të zhvilluar nesër një mocion me debat mbi vendimin e Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Mbledhja u zhvillua paraditen e djeshme dhe u miratua pothuajse në konsensus të plotë, pasi vetëm një nga anëtarët doli kundër kërkesës së socialistëve.

VENDIMI

Sipas vendimit të marrë nga Konferenca e Kryetarëve, u përcaktua që të enjten të zhvillohet seancë plenare dhe pika e vetme e rendit të ditës të jetë mocioni me debat mbi vendimin e Presidentit. Por ndryshe sa ishte paralajmëruar, socialistët nuk shprehen hapur në dokument se do të iniciojnë shkarkimin e Presidentit Meta.

“Kuvendi i Shqipërisë, duke u njohur me aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe duke konsideruar se ky është një akt i paprecedent, që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, konstaton se: Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk i njohin Presidentit të drejtën për të anuluar zgjedhjet;

Akti i Presidentit, në mënyrë të kundërligjshme ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, ashtu si është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor 2019; Ky akt tenton të ndërhyjë drejtpërdrejt në një proces, që tashmë është në kompetencë të organit administrues të tij dhe si i tillë duhet shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet e administrimit zgjedhor të parashikuara në Kodin Zgjedhor;

Ndërhyrjen e Presidentit të Republikës në këtë fazë të procesit zgjedhor si një mjet që ka cenuar rëndë barazinë e konkurrimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës; Mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar parashikuar nga neni 90, paragrafi 2 i Kushtetutës”.

Kjo pikë e fundit e rezolutës që pritet të votohet në Kuvend është edhe neni me të cilin mund të iniciohet edhe shkarkimi i Presidentit, pa e shprehur këtë si një veprim që do të ndërmerret, por si një mundësi shqyrtimi.

KËRKESA

Në rezolutën që do të shqyrtohet nesër në seancë plenare është hartuar edhe një rubrikë e posaçme, ku i jepen rekomandime kreut të shtetit.

Në këtë pjesë të rezolutës, Partia Socialiste i tërheq vëmendjen Presidentit dhe i kërkon të mos ndërmarrë më akte të tilla.

“Kuvendi i Shqipërisë u bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të qershorit 2019, të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019, për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë, duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”, shprehet në rezolutë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat