Klosi në Himarë: Fushata s’mund të cenojë sigurinë në plazhe

Shqipëria

Klosi në Himarë: Fushata s’mund të cenojë sigurinë në plazhe

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 16:13
Foto

Ndarja e plazheve nga bashkitë nuk është bërë ende. Ministri i Turizmit Blendi Klosi ka mbledhur task forcën në Himarë, prej nga u bëri thirrje kryetarëve të bashkive që të mos humbasin vëmendjen nga fushata por të garantojnë cilësi dhe shërbim në plazhe.

Masat për sezonin turistik nuk janë marrë ende nga bashkitë. Gjatë vizitës së tij në Himarë, ministri i Turizmit Blendi Klosi pranoi se, pas vëzhgimit në terren nga miratimi i VKM-së për “Stacionet e plazhit” tek ndryshimet në kodin penal për të dënuar përsëritësit e zhurmave në plazhe vihet re bashkitë janë ende larg zbatimit të tyre.

Klosi: Jemi shumë mbrapa në kuadër të përgatitjeve të sezonit të ri turistik. Është e pafalshme që ne duke menduar gjithë kohën për fushatën elektorale, sidomos bashkitë që mbase është edhe e natyrshme pothuajse kemi lënë pas dore përgatitjet për sezonin turistik. Akoma nuk kemi të sistemuar ndarjen e plazheve nga bashkitë. Sipas kërkesës së Këshillit të Ministrave, kjo duhet të kishte ndodhur që në fillim të muajit Maj. Jemi në Qershor dhe akoma plazhet nuk janë ndarë.

Klosi iu kërkoi kryetarëve të bashkive që të mos humbasin vëmendjen nga fushata por të garantojnë cilësi dhe shërbim në plazhe.

Klosi: I kërkoj kryetarit të bashkisë jo vetëm të Himarës, por sidomos edhe të Sarandës për problematikat që ka Saranda edhe të Vlorës që të mos humbin vëmendjen përsa i përket pastërtisë. Fushata elektorale nuk duhet të ndikojë në menaxhimin e aspekteve që kanë të bëjnë sidomos me sigurinë dhe pastërtinë në sezonin turistik.

Klosi tha se është e patolerueshme që të mos ketë kontrolle mbi operatorët, që ofrojnë shërbime turistike, si edhe tek udhërrëfyesit turistikë, që shoqërojnë turistët edhe në zona me një lloj rrezikshmërie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat