Ambasada e Holandës: Hapja e negociatave do ishte vendim i parakohshëm

Shqipëria

Ambasada e Holandës: Hapja e negociatave do ishte vendim i parakohshëm

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 00:46
Parlamenti i Holandës

Pas vendimit të Parlamentit të Holandës për të mos hapur negociatat me Shqipërinë, ka reaguar edhe ambasada holandeze, e cila thotë se  shteti holandez mbetet i angazhuar për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

"Politika e zgjerimit të BE bazohet në kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz për të siguruar që reformat në vendet që aspirojnë të bashkohen me BE janë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme ", thuhet në njoftimin e ambasadës.

Më tej thuhet se Holanda vlerëson dhe mirëpret hapat që ka ndërmarrë Shqipëria, veçanërisht në lidhje me reformën gjyqësore dhe procesin e vetingut, i cili është unik për rajonin.

Megjithatë,- thotë ambasada -ka edhe hapa, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që Shqipëria duhet të marrë përpara përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Këshilli në qershor të vitit 2018 para se të hapen negociatat e pranimit. Në dritën e kësaj, parlamenti i Holandës më 12 qershor miratoi një mocion që i kërkoi qeverisë të mos pranonte të hapte negociata me Shqipërinë. Një vendim i Këshillit në 18 qershor për të hapur negociatat e pranimit do të ishte i parakohshëm.

"Ne fuqimisht inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë rrugën e saj. Ne e pranojmë se sa sfiduese është procesi i pranimit dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në reformat e saj sa më shumë të mundemi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit", mbyll reagimin ambasada.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat