Juncker: Shqipëria ka bërë progres në rrugën drejt BE, por…

Shqipëria

Juncker: Shqipëria ka bërë progres në rrugën drejt BE, por…

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 11:56
Jean Claude Juncker

Vendimi mbi çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mund të merret muajt e ardhshëm deklaroi në Bruksel kreu i Komisionit europian, Jean Claude Juncker.

“Shqipëria ka bërë një progres të konsiderueshëm në rrugën e saj drejt BE-së. Ky është një testament i vendosmërisë e forcës së popullit shqiptar si dhe angazhimit personal të kryeministrit ndaj reformave”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp.

Juncker përmendi faktin që 88% e qytetarëve shqiptarë kanë ndjesi pozitive për bllokun europian dhe 92% e mbështesin objektivin e anëtarësimit, çka e bën Shqipërinë një prej vendeve europiane me përkrahjen më të fortë për BE-në. Duke cituar raportin pozitiv të komisionit europian, numri një i tij theksoi se Shqipërisë i duhet dhënë drita jeshile për nisjen e negociatave, nisur dhe nga fakti që çdo vendim i tillë bazohet në merita e rezultate të prekshme në fusha të caktuara.

Megjithatë, kishte edhe një por… Sipas Junckerit, ka disa pengesa që duhet kapërcyer sepse disa vende anëtarë të bllokut nuk janë në favor të një lëvizjeje të tillë.

“Puna nuk përfundon në qershor, pavarësisht vendimit të këshillit të ministrave”, shtoi Juncker. Të njëjtën gjë kishte pohuar më herët edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili tha se mbështet hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por paralajmëroi se jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian pajtohen me këtë vlerësim.

Një nga gjërat që po shkakton shqetësim aktualisht në BE është situata aktuale politike, pas njoftimit të presidentit Meta se do të anulojë zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i KE-se tha se njerezve nuk u duhet ndaluar ushtrimi i të drejtave të tyre demokratike. “Nuk ia bllokon dot popullit shqiptar mundësinë për tu shprehur; mendoj se zgjedhjet duhet të zhvillohen sipas planit. Nëse jo, kjo mund ta shtyjë perspektivën europiane të Shqipërisë, theksoi Juncker.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat