Meta kërcënoi se nëse PD e LSI s’hyjnë në zgjedhje, ka luftë

Shqipëria

Meta kërcënoi se nëse PD e LSI s’hyjnë në zgjedhje, ka luftë

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 12:17
Bashkim Fino

 Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, duke e cilësuar sot antikushtetues vendimin e Presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, theksoi se “Presidenti ka kërcënuar shqiptarët duke lajmëruar nga podiumi i presidencës se nëse PD dhe LSI nëse nuk hyjnë në zgjedhje do të ketë luftë”.

Në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet projekt-rezoluta për shfuqizimin e Dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Meta, Fino tha se “30 qershori nuk është caktuar as nga Edi Rama, as nga Lulzim Basha, Monika Kryemadhi apo Ilir Meta, ajo është thjesht një nga dy datat që të gjithë në konsultë me njëri tjetrin mund të zgjidhnin si datën më të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve lokale”.

“Kjo është datë kushtetuese, neni 92 Gj i Kushtetutës ngarkon Presidentin për përcaktimin e datës dhe shpalljen e datës me dekret. Pas daljes së dekretit Presidenti e ka ezauruar detyrën e vet kushtetuese për caktimin e datës. Për të ripërdorur dispozitën e nenit 92 të Kushtetutës, Presidenti duhet të presë afrimin e zgjedhjeve të Kuvendit të 20121. Me këtë lexim që i ka bërë Kushtetutës Presidenti parashikon të na thotë pse e nxori ai dekretin, ky vend nuk ka zgjedhje. Mbështetur tek ky arsyetim, Presidenti na njoftoi për shfuqizimin e datës 30 qershor me logjikën që po nuk nxora unë dekret , nuk ka zgjedhje në Shqipëri”, – theksoi Fino.

Deputeti Fino u shpreh se “ka një arsyetim pse Kushtetuta e Kodi Zgjedhor i kanë lënë në dorë Presidentit të zgjedhë vetëm dy data, e dini cila është aryseja; në historinë e këtij vendi ka patur edhe presidentë të tjerë që njëlloj si ky i sotmi besonin se caktimi i datës është privilegj i tyre”.

Sipas tij, kushtetuta nuk autorizon që Presidenti të zgjedhë datën e zgjedhjeve .

“Presidenti nu ka asnjë kompetencë mbi zgjedhjet se pasi ai nuk është palë mbi zgjedhje. Kur presidenti të behet palë në zgjedhje luan brenda subjekteve zgjedhore, por jo nga zyra e Presidentit dhe nëse ajo zyrë nuk të pëlqen nuk është faji i zyrës që ti ke”-, tha Fino.

Më tej Fino theksoi se “Presidenti ka kërcënuar shqiptarët duke lajmëruar nga podiumi i presidencës se nëse PD dhe LSI nëse nuk hyjnë në zgjedhje do të ketë luftë, si mund të pretendosh se po përfaqëson unitetin e popullit duke kërcënuar popullin tënd vetëm presidenti ynë mund ta kuptojë këtë? Ky është atentati më i madh që i është bërë sovranit e popullit. Si ish kryeministër në një moment shumë të vështirë dhe deputet për një kohë të gjatë unë e di që pluralizmi është instrumenti i sovranitetit popullor që ushtrohet nga zgjedhjet, një listë e gjatë me parime themelore kushtetuese janë futur futur në supën presidenciale”.

“Shumë militantë do të donin që presidenti të shkarkohej sot dhe i mirëkuptoj, janë po ata militante dhe bazë që na panë me inat kur e votuam, por them se gabimin që kemi bërë nuk mund ta thellojmë duke e shkarkuar, le ta lëmë të shkruajë deri në fund për aq sa mundet teorinë dhe teatrin e tij”, përfundoi Fino.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat