Xhaçka: Shtojmë trupat në misionet e NATO-s

Shqipëria

Xhaçka: Shtojmë trupat në misionet e NATO-s

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 12:19
Pamje nga takimi

Shqipëria qëndron e angazhuar dhe do të vazhdojë kontributet në misionet paqeruajtëse, përkrah NATO-s.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), ku u prit nga komandanti suprem i forcave aleate në Evropë, gjeneral me katër yje Curtis M. Scaparrotti.

Qëllimi i kësaj vizite ishte përforcimi i bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Komandës së Aleancës për Operacionet (ACO) dhe për të diskutuar angazhimin e fortë të vendit tonë në operacionet e NATO-s.

Gjeneral Scaparrotti theksoi rolin kyç të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor dhe Afganistan, duke kontribuar në sigurinë e përbashkët të NATO-s.

Në takimin me ushtarakun e lartë amerikan, ministrja Xhaçka shprehu vendosmërinë e vendit tonë për të kontribuar në të gjitha operacionet e NATO-s. “Shqipëria qëndron e angazhuar dhe do të vazhdojë kontributet në Misionin Resolute Support në Afganistan, KFOR Kosovë, Praninë e Përparuar të NATO-s në Letoni, aktivitetet detare të NATO-s në detin Egje, Forcën e Reagimit të NATO-s dhe Qendrën Rajonale për Jugun në Napoli”, tha ajo.

Gjeneral Scaparrotti theksoi rëndësinë e kontributit të Shqipërisë në NATO dhe rritjen e fundit të shpenzimeve të mbrojtjes.

Më tej, ministrja Xhaçka e njohu gjeneral Scaparrottin me miratimin e vendimit të qeverisë shqiptare për të shtuar numrin e trupave në Afganistan. “Vetëm disa ditë më parë, qeveria shqiptare miratoi shtimin me 60% të trupave tona në Misionin Resolute Support. Për më tepër, për vitin 2019, Shqipëria ka marrë në konsideratë dhe ka vendosur në parim për të rritur kontributin tonë me personel shtesë”, tha ajo.

Ministrja Xhaçka theksoi rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, ku vendi ynë gjithashtu ka shtuar kontributin e tij. “Duke vlerësuar rolin e KFOR-it si të domosdoshëm për forcimin e paqes dhe prosperitetit në Kosovë, ne gjithashtu kemi angazhuar një kompani për Forcat Rezervë Operacionale të KFOR-it.”

Pas takimit me komandantin suprem të forcave aleate në Evropë, gjeneral me katër yje Curtis M. Scaparrotti, ministrja Xhaçka foli edhe për rritjen e vëmendjes së qeverisë jo vetëm për ushtarakët shqiptarë në misionet jashtë vendit.

“Jam takuar me trupat tanë kudo që kam qenë sepse është përgjegjësia ime për të qëndruar pranë të gjithëve, për të dëgjuar se cilat janë nevojat e tyre, por gjithashtu për t’i siguruar ata në cilësinë e ministres së Mbrojtjes, por edhe në emër të qeverisë, se ne gjithmonë do t’i mbështesim ata si nxitësit e paqes dhe sigurisë kudo që ata shërbejnë. Ne jemi krenarë për ta, kështu që në këtë kuptim, si ministre e Mbrojtjes, por edhe në emër të qeverisë, i takoj për t’i siguruar se do t’i mbështesim fuqimisht.”

Shqipëria ka rritur nga viti në vit kontributin e saj në misionet e NATO-s dhe është angazhuar të rrisë buxhetin e Mbrojtjes në 2% deri në vitin 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat