E plotë nga Presidenca/ Shqiptarët do të votojnë në një datë përtej 30 qershorit - Bota Sot
E plotë nga Presidenca/ Shqiptarët do të votojnë në një datë përtej 30 qershorit

Shqipëria

E plotë nga Presidenca/ Shqiptarët do të votojnë në një datë përtej 30 qershorit

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 18:01
Bledar Dervishi

Në një deklaratë nga Presidenca, këshilltari ligjor i Presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishi ka dhënë argumentet kushtetues dhe ligjor në lidhje me dekretin që shtyn zgjedhjet e 30 qershorit.

Dervishi u shpreh se ‘çdo subjekt politik apo jo politik, i cili nuk është dakord me vendimmarrjen e Presidentit të Republikës, apo kundërshton kompetencat që Presidenti ka ushtruar nëpërmjet dekretit të tij, është i lirë që të ngrejë pretendimet e tij qoftë në Gjykatën Kushtetuese, apo pranë çdo gjykate tjetër të çdo niveli që ai vlerëson se mund të shqyrtojë pretendimet e tij mbi këtë çështje’.

Ai tha se, presidenti garanton shqiptarët se ata do të votojnë në një datë tjetër, përtej asaj të 30 qershorit.

Deklaratë e institucionit të Presidentit të Republikës:

Institucioni i Presidentit të Republikës, ka ndjekur me vëmendje të gjitha diskutimet dhe qëndrimet publike, përfshirë edhe ato të zhvilluara sot në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku është diskutuar vendimmarrja e Presidentit për shfuqizimin e Dekretit për caktimin e datës 30 qershor, si datë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor.

Në vend të një diskutimi dhe reflektimi mbi argumentet kushtetues, ligjorë, dhe logjikë, mbi të cilat u mbështet Presidenti i Republikës SH.T.Z Ilir Meta në vendimmarrjen e tij, dhe në vend që sot, të ishte një moment ku mund të shfaqej një reflektim dhe të diskutohej mbi veprimet pozitive në favor të çeljes sa më parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, apo ku mund të diskutohej për zgjidhjen e krizës ku ndodhet sot vendi, sot përkundrejt kësaj pritshmërie u lëshuan lumenj fyerjesh ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës.

Presidenti vlerëson se kjo retorikë, ndonjëherë edhe toksike, nuk i shërben aspak, as zgjidhjes së krizës, dhe as paqes sociale në vend.

Presidenti i Republikës thekson edhe një herë përpara të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve tanë të besueshëm ndërkombëtarë se:

- Dekreti i Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019, për shfuqizimin e Dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019, është një akt që është marrë në mbështetje të plotë me dispozitat Kushtetuese dhe parimeve themelore të mbrojtura prej saj.

- Ky akt i Presidentit të Republikës, është marrë bazuar tërësisht në argumente Kushtetues, ai është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

- Akti i Presidentit të Republikës, për shfuqizimin e Dekretit për caktimin e datës 30 qershor, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, në zbatim të parashikimeve kushtetuese; referuar praktikës kushtetuese; referuar marrëdhënieve juridiko-shoqërore që ai rregullon, si dhe referuar argumenteve kushtetuese mbi bazën e të cilëve është marrë, e bën Dekretin e Presidentit një akt me natyrë krejtësisht të veçantë, dhe si i tillë, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë apo anti-kushtetutshmërinë e tij.

- Dekreti i Presidentit të Republikës i është dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zbatim sipas ligjit. Ky organ është i detyruar ta zbatojë atë.

- Çdo anashkalim i detyrave nga ky institucion dhe përgjegjësive të veta nga ana e këtij organi është i patolerueshëm nga ligji.

- Çdo subjekt politik apo jo politik, i cili nuk është dakord me vendimmarrjen e Presidentit të Republikës, apo kundërshton kompetencat që Presidenti ka ushtruar nëpërmjet dekretit të tij, është i lirë që të ngrejë pretendimet e tij qoftë në Gjykatën Kushtetuese, apo pranë çdo gjykate tjetër të çdo niveli që ai vlerëson se mund të shqyrtojë pretendimet e tij mbi këtë çështje;

- Presidenti i Republikës ripërsërit edhe një herë qëndrimin e Tij drejtuar të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm partive politike, se ky vendim është marrë me përgjegjshmëri të plotë dhe në vlerësim të të gjithë rrethanave dhe fakteve, për të shmangur çdo mundësi që të provokohej një konflikt destabilizuesme pasoja për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, sigurinë publike dhe rendin kushtetues në vend, e cila mund të kulmonte me një përplasje më datë 30 qershor.

- Presidenti i Republikës i siguron gjithashtu qytetarët e Shqipërisë se ata do të votojnë për tej 30 qershorit, në një datë sa më të afërt, në një situatë të qetë dhe në mënyrë të lirë e të ndershme.

- Pikërisht për caktimin edhe të kësaj date të re, Presidenti, prej ditës së djeshme ka nisur një proces të gjerë konsultimi me të gjitha forcat politike në vend.

- Presidenti do të shprehet me Dekret për caktimin e një date të re.

- Presidenti i Republikës thekson se, në zbatim të parashikimeve Kushtetuese dhe përcaktimeve të ligjit nr.139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’,realizimi i zgjedhjeve për pushtetin vendor në një datë të ndryshme nga ajo e 30 qershorit, nuk cenon aspak interesat e qytetarëve shqiptarë dhe as prek shërbimet që ata marrin pranë organeve të pushtetit vendor në këtë periudhë tranzitore.

- Për këtë, ligji nr. 139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’, në nenin 53 pika 1 dhe nenin 60, pika 4, garanton se;

Këshillat Bashkiakë aktualë do të ushtrojnë funksionet e tyre,deri në krijimin e këshillave pasardhës, përbërja e të cilëve, do të formatohet nga zgjedhjet e reja që do të realizohen.

Gjithashtu edhe,

Kryetarët aktualë të Bashkive do të ushtrojnë mandatin e tyre derisa sa Kryetarët e rinj që do të zgjidhen, do të bëjnë betimin për funksionet që ata do të marrin.

Kjo nuk është një zgjatje e mandatit të organeve të qeverisjes aktuale vendore që bëhet nga Presidenti i Republikës, por një detyrim që përcaktohet qartë dhe pastër nga ligjinr.139/2015 ‘Për vetë qeverisjen vendore’.

Çdo aludim, se në datën 8 gusht 2019ndërpritet ushtrimi i mandatit i të zgjedhurve vendorë aktualë, është një trillim politik.

Qytetarëve shqiptarë u sigurohet me ligj vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve nga njësitë e qeverisjes vendore.

Presidenti i Republikës ripërsërit thirrjen ndaj të gjitha palëve politike që ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë hapësirë kohore për të reflektuar, dhe t’i përgjigjen ftesës së Presidentit për dialog, për të gjetur sëbashku një zgjidhje urgjente për krizën, përfshirë edhe dakordësimin e një date të re, për pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhjet vendore.

Presidenti i Republikës rigaranton edhe një herë popullin shqiptar, se është në detyrë dhe i gatshëm të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojë situata dhe interesi më i mirë i vendit, në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe me betimin e tij solemn për t’i shërbyer interesit më të mirë të vendit dhe përparimit të të gjithë Popullit Shqiptar!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...