Nënkryetari i KQZ : Çdo organ publik ka detyrimin të konstatojë pavlefshmërinë e aktit të presidentit

Shqipëria

Nënkryetari i KQZ : Çdo organ publik ka detyrimin të konstatojë pavlefshmërinë e aktit të presidentit

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 17:19
Denar Biba

Nënkryetari i KQZ Denar Biba ishte i ftuar sot në Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja ku foli edhe për aktin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve.

Ai është pyetur për vendimin e KQZ, ku të paktën 4 anëtarë të saj e kanë shpallur nul vendimin e Metës dhe kanë vazhduar punën, ndërsa kryetari i saj Klement Zguri përfaqësues i opozitës ka njohur vendimin e presidentit.

“Në se do kishim vendosur ta shpallnim antikushtetues ose të pavlefshëm do të kishim kaluar absolutisht kompetencat, por në fakt KQZ vetëm konstatoi në debatet e tij pavlefshmërinë absolutë të aktit dhe vendosi ta injorojë atë duke vazhduar me punën . Kam dëgjuar këto ditë shumë juristë në fakt nuk kanë faj. Lënda e së drejtës është një fushë shumë e madhe dhe siç ka civilist ka juristë të së drejtës penale, por ka dhe administrativist e kështu me radhë ..

Kjo gjithëditja në Shqipëri tashmë është fenomen i njohur, gjithkush flet për gjithçka. Por më çfarë kam konstatuar është mos njohja, injoranca në lidhje me ndryshimet e fundit që ka bërë kodi i procedurave administrative, është një kod i ri relativisht, nga 2015, në 2016 hyri në fuqi. Kodi i procedurave administrative ka sjellë elementë krejt të rinj në lidhje me pavlefshmërinë absolute të aktit. Në kuptim të nenit 111 të kodit të procedurave administrative çdo organ publik ka detyrimin të konstatojë pavlefshmërinë e aktit. Presidenti i Republikës nuk është një organ superior ndaj KQZ. KQZ nuk është një organ inferior ndaj presidentit të Republikës, KQZ është një organ i pavarur i parashikuar nga ligji dhe që i jep llogari Kuvendit”, tha Biba.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat