Kryetari de juro i KQZ, Klement Zguri ka reaguar pas deklaratës kërcënuese që lëshoi pak më herët zëdhënësja e këtij institucioni në emër të katër anëtarëve të mazhorancës.
Sipas Zgurit, ky nuk është qëndrim i kryetarit të institucionit dhe se ai e ka dhënë qëndrimin e tij lidhur me dekretin e presidentit Ilir Meta.
“Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së nuk është qëndrim i kryetarit të institucionit, por i përket katër anëtarëve të mazhorancës në KQZ. Unë si kryetari i institucionit e kam bërë të qartë qëndrimin tim në mbledhjen e zhvilluar pas dekretit të Presidentit Meta”, shprehet kryetari i KQZ, Klement Zguri.
Në deklaratën e pak minutave më parë, 4 anëtarët e Ramës në KQZ kërcënojnë kryetaret e bashkive Mat, Kamëz, Kavajë, Gjirokastër, Dropull, Përmet, Delvinë, Shkodër, Tropojë, Peqin, Rrogozhinë dhe Prrenjas të cilët kanë kërkuar shkresërisht lirimin e mënjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur selitë e KZAZ-ve dhe Vendet e Numërimit të Votave, si edhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve ose heqjen tyre nga ambjentet e shkollave që janë në administrim të bashkive pas hyrjes në fuqi të dekretit të presidentit të Republikës që zhbën 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.