Meta ndalon bashkitë e vendit të shkojnë drejt 30 qershorit! - Bota Sot
Meta ndalon bashkitë e vendit të shkojnë drejt 30 qershorit!

Shqipëria

Meta ndalon bashkitë e vendit të shkojnë drejt 30 qershorit!

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 07:54
Ilir Meta

Anulimi i datës së zgjedhjeve në 30 qershor. Presidenti, letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  për legjitimitetin e parlamentit. Meta paralajmëron pasoja ligjore për ata që shkelin dekretin

Presidenti Meta ka marrë hapat e parë institucionalë drejt shpërndarjes së Kuvendit, pasi përmes një letre i ka kërkuar informacion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me numrin e deputetëve që janë sot legjitimë. Në letrën drejtuar kreut të KQZ-së, Klement Zguri, Presidenti kërkon informacion lidhur me numrin e deputetëve që ka aktualisht Kuvendi, dhe ndarjen e tyre sipas qarqeve dhe subjekteve zgjedhore. Nuk dihet se çfarë është duke bluar në kokë kreu i shtetit, po edhe dje teksa dha një deklaratë për gazetarët, ai u shpreh se Kuvendi që kishte votuar rezolutën kundër tij ishte ilegjitim.

“Presidenti është zgjedhur nga një parlament plotësisht legjitim, jo nga ky i sotmi. Besoj se jam shumë i qartë. Presidenti është Republikë, dhe Republika është e qytetarëve. Presidenti kërkon që të izolohet çdo i çmendur që shkel ligjin. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira, dekreti është në fuqi dhe i detyrueshëm për të gjithë, ne na lind e drejta që ti ftojmë të kthehen në rrugën e ligjshmërisë. Mund ta çoni dhe në Gjykatën e Skraparit po të doni, po vendimin për dekretin e presidentit e merr vetëm Gjykata Kushtetuese”. Presidenti Ilir Meta i kërkon KQZ-së vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në kërkesën për informacion që i është drejtuar KQZ-së kërkohet dhënia e informacionit brenda një kohe sa më të shkurtër dhe me përgjegjshmëri të plotë. “Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi? Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe listën emërore të deputetëve aktualë në shkallë vendi”, saktëson Meta. Kuvendi votoi këtë të enjte me 100 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime nismën për pezullimin e dekretit të anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Pasojat ligjore kush shkel dekretin

Presidenti Ilir Meta deklaroi ditën e djeshme se do të dekretojë shumë shpejt datën e re të zgjedhjeve vendore. Nga ana tjetër ai ishte i qartë kur tha se dekreti për shfuqizimin e 30 qershorit është në fuqi dhe se po mban shënim të gjitha institucionet që nuk e zbatojnë, duke iu referuar këtu KQZ-së. “Sa më parë të jetë e mundur. Po punojmë me shumë qetësi dhe përgjegjësi. Dekreti është në fuqi, i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin”. Duke folur për pasojat që do të kenë ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë, Meta tha: “Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat që provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend”. I pyetur nëse ka reflektuar pas votimit të rezolutës me 100 vota nga shumica, Meta bëri të ditur se Presidenti takon Republikës dhe qytetarëve. “Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti, jo nga ky, nga një parlament plotësisht legjitim. Presidenti i takon Republikës dhe Republika vetëm qytetarëve”. Ndërkohë që dekreti pritet të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor, Meta tha se dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit, e cila nuk ekziston. “Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet, përkundrazi i fton të gjithë të izolojmë çdo të çmendur i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave për BE që është objektiv i të gjithë shqiptarëve. Dekreti është në fuqi, është i zbatueshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë le të vazhdojë, është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që çdo ditë të bëjë thirrje për reflektim”, përfundoi Meta.

Incidenti

Ndërkohë që opozita vazhdon të punojë në drejtim të bllokimit të zgjedhjeve lokale, mazhoranca vijon fushatat në kuadër të përgatitjes së 30 qershorit. Por kudo që ndodhet kryeministri është pritur me protesta nga qytetarët. E njëjta gjë ndodhi edhe dje në Bashkinë Patos, ku kryeministri Rama zhvilloi takimin elektoral prezantues të kandidates së PS për mandatin e tretë Rajmonda Balilaj. Dhjetëra mbështetës të opozitës janë mbledhur rreth 300 metra larg sheshit qendror të Patosit, ku do të zhvillohej takimi i kryeministrit Rama me elektoratin e majtë. Me vuvuzela në duar dhe pankarta “Rama ik” ata kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Të pranishëm janë edhe ish-deputetët Luan Baçi dhe Enkelejd Alibeaj, ndërkohë që vihet re një numër i madh efektivesh të policisë. Përmes një postimi në Twitter, kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar pas kërkesës së bashkive të djathta për të liruar ambientet e zhvillimet të zgjedhjeve. Rama i drejtohet kryebashkiakëve të djathtë, duke i thënë që mos bien viktimë e katërshes, Berisha, Meta, Basha, Kryemadhi. “Kryebashkiakë demokratë! Mos bini viktimë e katërshes Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha,  Monika Kryemadhi,duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet. Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë. Nuk ju nxori PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre. Ligji s’ka mëdyshje”, shkruan Rama në Twitter.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...