PD: Rama na shpalli Luftë, protestojmë në 21 qershor

Shqipëria

PD: Rama na shpalli Luftë, protestojmë në 21 qershor

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 08:27
Ilustrim

Mbledhja e Kryesisë së PD-së/ Basha dhe aleatët e djathtë vendosin 21 qershorin, datën e protestës së nëntë kombëtare. “Rama po bën grusht shtetit. Është rrezik kombëtar, duhet ndalur menjëherë”, është qëndrimi union i të djathtëve

Protesta e radhës së opozitës do të mbahet me 21 qershor në orën 20:00. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PD, ish-grupit parlamentar dhe kolegjin e kryetarëve në një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur pas asnjë mungesë nga kreu i PD-së Lulzim Basha. Burime pranë PD-së bëjnë me dije se Basha iu ka kërkuar t’i përgjigjen me të njëjtat mjete kundërshtarit të tyre Edi Ramës, i cili vijon përgatitjet intensive për zgjedhjet e 30 qershorit. “Edi Rama na ka shpallur luftë. Duhet të mbrojmë vendin dhe qytetarët, Kushtetutën. Jemi në të drejtën tonë t’i përgjigjemi me çdo çmim dhe me çdo mjet. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Është krim veçanërisht në kushtet e dekretit te presidentit. Jemi ne pune te pandërprere. Takime me qytetaret për t’u shpjeguar njerëzve se Rama po bën grusht shtetit. Është rrezik kombëtar, duhet ndalur menjëherë. Vendi rrezikon rikthimin e vizave, izolimin, regjim represiv përmes arrestimeve”, ka thënë Basha në mbledhjen e kryesisë.

Mesditën e djeshme, opozita e bashkuar nisi aksionin për përgatitjen e protestës së radhës. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha takoi në orën 12 aleatët me të cilët zhvilloi një mbledhje 30 minuta për të vendosur vijimësinë e aksionit opozitar. Takimi erdhi menjëherë pas thirrjes së z.Basha nga prokuroria, pasi akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se lobimi rus në SHBA i Partisë Demokratike gjatë periudhës zgjedhore të vitit 2017, është një pastrim i pastër parash. Teksa ishte në një kafe me banorët e njësisë numër 11, Rama ka deklaruar se problemi nuk qëndron në faktin se “kanë harruar”, siç PD-ja ka deklaruar më herë, por e gjitha qëndron tek burimi i atyre parave. Ndërkohë ka hequr edhe një paralele se çfarë do kishte ndodhur nëse rast se do ta kishte bërë PS-ja, duke vënë duart mbi kokë.

Mediu: Brenda 6 muajve zgjedhjet e reja!

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha në një deklaratë për mediat se zgjedhjet do bëhen kur të jetë larguar Edi Rama. Ndërsa theksoi se protestat do vazhdojnë pa dhënë një datë. “Kemi thënë që është e mundur që brenda 6 muajve të organizohen zgjedhjet me largimin e Edi Ramës, me qeverisje tranzitore që garanton të gjitha parametrat për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri, ndoshta edhe më pak se kaq. Por ajo që është më e rëndësishme është që ne duhet të largojmë problemin nga qeverisja dhe problemi është Edi Rama”. Pasditen e djeshme në orën 18.00, mbledhje e jashtëzakonshme e Kryesisë së PDSH, Grupit Parlamentar, Kolegjit të Kryetarëve dhe Kryetarëve të Bashkisë, me rend dite: Caktimi i detajeve të vijimit të aksionit politik, si dhe reagimi i PD pas arrestimeve politike të drejtuesve të PD në qarkun Elbasan”. Opozita do vijojë protestat për largimin e kryeminsitrit Edi Rama, ndërsa dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit e ka cilësuar si fitore të parë.

Dashamir Shehi: Vendi po shkon drejt një sistemit diktatorial!

Kreu i LZHK-së Dashamir Sheh, në një prononcim për gazetën “Shekulli” tregon detaje të tjera rreth mbledhjes me kryedemorkatin Basha. Ai tha se Basha iu ka kërkuar që kenë prezencë të madhe mediatike për të sqaruar opinionin publik për arrestimet që po ndodhin, pasi vendi sipas tij po shkon drejt një sistemi diktatorial. “Pavarësisht tentativës së kryeministrit për të trembur dhe arrestuar kryetarët, ne do të vazhdojmë me protesta. Akoma nuk kemi një datë të fiksuar për aksionin opozitar, sepse javën e ardhshme presim zhvillime të reja, ku do të merret vendimi për Europën. Shqiptarët ta kuptojnë njëherë e mirë se sa të jetë ky njeri në pushtet, Europa bëhet gjithnjë dhe më e largët. Të gjitha partitë opozitare, përveç PD-së e kanë takuar Presidentin Meta. Besoj se edhe këto ditë që janë lënë pa protesta, janë lënë me qëllim që Presidenti të ketë hapësirën e mjaftueshme për t’i vazhduar negociatat. Në takim nuk u diskutua për datë zgjedhjesh, sepse do të ishte e parakohshme, do paragjykonte çështjet e tavolinës. Data përcaktohet nga partitë e mëdha. Basha na kërkoi prezencë më të madhe mediatike për të sqaruar shqiptarët që po rrëshqasin drejt një situatë paradiktatorial, me opozitar që arrestohen dhe prokurori që hap letra të panevojshme”. I pyetur nga “Shekulli” për akuzat e ngritura ndaj kreut të PD-së Lulzim Bashës, si person që mendohet se ka dijeni në lidhje me lobimin e selisë blu dhe pretendimet e ngritura për ndihmën ruse në zgjedhjet e përgjithshme të 2017, Shehu shpreh: “Thirrja e z.Basha në Prokurori është një film që e kemi parë katër herë. Kjo bëhet për të shmangur vëmendjen nga gjërat e rënda që realisht po ndodhin”.

Basha thirrje prokurorëve: Mos zbatoni urdhrat politik të Ramës!

Arrestimi i disa drejtuesve të PD në qarkun e Elbasanit duket se i ka hedhur më shumë benzinë zjarrit politik në vend. Lulzim Basha në një konferencë të jashtëzakonshme deklaroi se ky është një plan diabolik i kryeministrit Rama për të intimiduar opozitën dhe qytetarët dhe për tu tërhequr nga protestat. Më pas Basha ka hedhur akuza edhe ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Kryeprokurores Arta Marku ku për ta ka thënë se po i shërbejnë Ramës dhe vetëm në 5 muaj kanë shoqëruar rreth 500 simpatizantë dhe anëtarë të PD-së. Për t’i kthyer një përgjigje Bashës ka menduar, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili ka thënë se kreu i PD-së duhet të mbajë përgjegjësi për ata që nxjerrë në protestë dhe se askush prej tyre nuk do të tolerohet. Në mbyllje të fjalës së tij kreu i opozitës ka thënë se nuk do të ketë asnjë hap pas në rrugën  që kanë nisur. “Ndërkohë mbi 50 mbështetës dhe anëtarë të Partisë Demokratike mbahen në arrest në burgje. Qindra qytetarë të tjerë që kanë protestuar kundër qeverisë nga Kukësi në Shkozë, tek Unaza e Re dhe kudo në Shqipëri janë ndaluar, keqtrajtuar, rrahur, dhunuar dhe arrestuar në mënyrë të paligjshme këto muajt e fundit. Ky është bilanc regjimesh represive dhe jo i një vendi demokratik europian. Ndërkohë sistemi i drejtësisë është shpartalluar. Parlamenti është shpartalluar. Administrata publike është militantizuar në ekstrem. Tashmë nuk ka më asnjë iluzion. Edi Rama ka vendosur në Shqipëri një pushtet autokratik, jashtë Kushtetutës dhe të kundërligjshëm.  Pasi vuri nën kontroll të gjitha pushtetet, tani ai po I përdor ato si vegla për të ushtruar dhunë, përndjekur dhe kërcënuar çdo kundërshtar dhe kritik të regjimit të tij. Raprezaljet e fundit politike të Edi Ramës kanë një qëllim të qarta politik: Të intimidojnë opozitën dhe qytetarët për t’u tërhequr nga beteja jonë kundër regjimit të tij kriminal. Është plani diabolik i një njeriu në panik total për humbjen e pushtetit. Është rruga pa krye që po e çon Ramën drejt greminës, ku kërkon të tërheqë me vetvete gjithë Shqipërinë. Në këtë aventurë të rrezikshme, Edi Rama ndihmohet nga dy vegla të paskrupullta, Sandër Lleshi dhe Arta Marku, të cilët e kanë kthyer policinë dhe prokurorinë në instrumente të represionit politik në shërbim të pushtetit personal dhe të korruptuar të Edi Ramës”, deklaroi Basha.

Bashkitë e djathta pranojnë dekretin, KQZ:

Pas botimit në Fletoren Zyrtare të dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, bashkia e Kukësit dhe bashkia e Skraparit, e Shkodrës dhe e Gjirokastrës, Kamzës, nisin zbatimin e dekretit të Presidentit Meta i cili anulon 30 qershorin si datën e zgjedhjeve. Kërkesa mban datën 14 qershor 2019 dhe i drejtohet Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor përkatëse. Në kërkesë kërkohet heqja e listave të zgjedhësve të afishuara në institucionet arsimore si dhe lirimin e ambienteve nga KZAZ. Kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja, në letrën e firmosur për KQZ-në, Ministrinë e Brendshme si edhe prefekturës Tiranë, kërkon që KZAZ nr.42 të ndërpresë të gjitha veprimet për afishimin e listave të zgjedhësve në të gjitha shkollat të cilat janë në pronësi të Bashkisë Kavajë.

Rrogozhina dhe Peqini

Partia Drejtësi për Integrim dhe Unitet i është bashkuar dy aleatëve të tjerë në opozitë, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke mos njohur 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale në dy bashkitë që drejtohen prej saj, Rrogozhinë dhe Peqin. Përveç Rrogozhinës dhe Peqinit, këtij vendimi i janë bashkuar edhe bashkitë e Përrenjasit, Skraparit, Beratit, Gjirokastrës dhe Delvinës, të drejtuara të gjitha nga LSI. Sa i përket bashkive të PD-së, nuk ka një konfirmim përfundimtar nëse shfuqizimi i 30 qershorit është njohur në të 15 bashkitë e drejtuara nga kjo forcë politike. PD drejton në Shkodër, Kamëz, Lezhë, Pogradec, Kukës, Vau i Dejës, Devoll, Mallakastër, Mat, Vorë, Selenicë, Tropojë, Përmet, Klos, Dropull. Nëse të gjitha bashkitë e PD-së do i bashkohen këtij vendimi, numri i bashkive që nuk njohin 30 qershorin do shkonte në 22.

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu është përgjigjur kryetarëve opozitarë të bashkive që do të zbatojnë dekretin e Presidentit të Republikës për 30 qershorin dhe kanë kërkuar lirimin e ambienteve nga KZAZ-të. KQZ thekson se KZAZ-të kanë detyrim të afishojnë listat përkatëse duke kërkuar të mos cenohen KZAZ-të, pasi Parlamenti ka kërkuar që të vijojmë detyrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat